Aktuale

Lumezi: Kosova ka parandaluar tentativa për sulme terroriste

inancimi i terrorizmit dhe shpëlarja e parasë vazhdojnë të mbesin sfida për institucionet e Kosovës, ani pse ka rezultate të prekshme gjatë viteve të fundit në parandalimin e terrorizmit dhe financimin e saj. Kështu u tha në fillimin e punëtorisë dy ditore në Prishtinë, me temën “Financimi i terrorizmit dhe shpëlarja e parasë”.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, theksoi se lufta kundër terrorizmit, pastrimit të parave, krimit të organizuar dhe korrupsionit janë elemente shumë të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Prandaj, sipas tij, kjo rrugë kërkon që të hetohen dhe ndëshkohen të gjithë ata individë që paraqesin rrezik për lirinë, drejtësinë e Kosovës.

Sipas kryeprokurorit, as Kosova nuk ka mbetur imune ndaj sfidës së terrorizmit dhe pastrimit të parave, po ka arritur të parandalojë tentativa për sulme terroriste.

“Gjatë vitit të fundit institucionet vendore me partnerët ndërkombëtarë kanë parandaluar disa tentativa për sulme terroriste që ndërlidhen edhe me vendet tona dhe shtetet e tjera të rajonit. Të gjithë ata shtetas tonë që kanë shkelur ligjin duke u kyçur në inspirime, nxitjen dhe në rekrutimin direkt të qytetarëve për të luftuar në Siri dhe Irak janë identifikuar nga Agjencionit e sundimit të ligjit dhe janë marr masat adekuate ligjore. Në këtë drejtim nuk kanë munguar as aktgjykimet dënuese dhe përfundimisht Kosova dhe sistemi prokurorial kanë arritur sukses të lakmueshëm. Gjatë vitit 2016 kemi pasur 37 kallëzime penale me 103 persona, ndërsa kemi zgjidhur 28 kallëzime penale me 66 persona nga të cilat kemi ngritur 27 akte akuzuese. Ndërsa periudhës janar mars 2017 kemi pranuar 1 rast me tre persona, pra kemi rënie të rasteve të pranuara dhe kjo është si reflektim i përgjigjes adek uate që ka zhvilluar sistemi gjyqësor dhe sistemi i sigurisë ndaj këtij aktivitet tejet të rrezikshëm”, tha Lumezi.

Sipas Lumezit, ndalimi i financimit paraqet çelësin kryesor për luftimin me sukses të terrorizmit. Kryeprokurori i Shtetit, luftën kundër terrorizmit, tha se nuk duhet kuptuar si përgjegjësi e vetëm një institucioni, porse bashkëpunimi mes prokurorisë së shtetit, Policisë, Agjencionit të Inteligjencës së Kosovës, shërbimit doganor, ATK-së dhe organizatave tjera është shumë i rëndësishëm për të siguruar informacione për persona të dyshuar, për financuesit e tyre, për transferimin e mjeteve financiare dhe mënyrën e financimit të grupeve terroriste.

Ushtruesi i detyrës së Zëvendës Shefit të Misionit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Steve Banks, ndërprerjen e financimit të terrorizmit e ka quajtur qelës kryesor të luftimit të terrorizmit.

Ai ka vlerësuar përpjekjet e Kosovës për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Unë besoj se të gjithë jemi të sigurt se terrorizmi kërkon financim dhe ndërprerja e financimit të terrorizmit do të zvogëloj mundësinë e grupeve terroriste për të mbajtur aftësitë e tyre për të përgatitur dhe për të kryer veprime terroriste. Kosova vazhdon të bëjë përpjekje të mëdha në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Megjithatë, duke ndërprerë financimet terroriste, duke ngrirë dhe duke konfiskuar pasuritë e tyre, në mënyrë që ato të përdoren nga sistemi i drejtësisë për të ndërprerë, për të shkatërruar dhe për të mposhtur organizatat terroriste, si çelës për arritjen e rezultateve”, tha Banks.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, theksoi se institucionet përgjegjëse janë angazhuar mjaftë shumë për parandalimin e kësaj forme të kriminalitetit. Megjithatë, sipas tij, institucionet e sundimit të ligjit ende kanë nevojë për ngritjen e kapaciteteve.

Isufaj: Kosova është sfiduar nga terrorizmi

(Video)

“Financimi i terrorizmit dhe pastrimit të parave sot është kërcënim global dhe se asnjë vend nuk është plotësisht i mbrojtur nga kjo dukuri. Në këtë drejtim edhe Kosova është sfiduar dukshëm nga kjo formë e kriminalitetit viteve të fundit ku si rezultat i kontekstit social dhe politik dhe shpesh mos koordinim adekuat mes institucioneve vendore e ndërkombëtare për sundim të ligjit ka krijuar teren për shtrirjen e kësaj dukurie edhe në vendin tonë”, u shpreh Isufaj.

Drejtori i divizionit të hetimeve në Policinë e Kosovës, Fehmi Hoti, tha se Kosova ka ndërmarr disa hapa konkretë, për çka tregojnë edhe rezultatet, në rregullimin, miratimin dhe aprovimin e kuadrove ligjore në ngritjen e kapaciteteve dhe mekanizmave institucional për parandalimin e këtyre dukurive.

Meqë Kosova ka caktuar prioritet këtë formë të parandalimit dhe luftimit edhe PK është angazhuar shumë dhe ka ngritur mekanizmat e saj institucional për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie. Në kuadër të kësaj ka formuar njësitë e saj të specializuara të cilat veprojnë në parandalimin dhe financimin e terrorizmit. Kryeprokurori dha disa të dhëna, statistika me të cilat anë trajtuar raste nga PK dhe prokuroria e shtetit, por dua ta plotësoj këtë që duke filluar nga vitit 2013 deri me tani PK ka trajtuar rreth 300 persona dhe subjekte të ndryshme në kuadër të këtyre trajtimeve që kanë të bëjnë edhe me financimin e terrorizmit”, u shpreh Hoti.

Drejtori i Njësitit të Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, paraqiti rënie të transaksioneve financiare të dyshimta që janë raportuar në NJIFK.

“Ne si NJFK do të vazhdojmë përpjekjet tona për të përshtatur gjithnjë e më shumë zhvillimit të hovshëm të teknologjisë me qëllim të identifikimit të rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Të dhënat për vitin 2016 tregojnë për vit me progres të rezultateve duke përmbushur dhe tejkaluar indikatorët kyç të përformancës të përcaktuara në kuadër të strategjisë kombëtare 2014-2018. Ka pasur ngritje prej 22 për qind të raporteve të transaksioneve të dyshimta të raportuara në NJIFK”, tha Nuhiu.

Punëtoria me temën “Financimi i terrorizmit dhe shpëlarja e parasë” do të mbahet gjatë ditës së sotme dhe gjatë ditës së nesërme, ku do të trajtohen aspekte të ndryshme të financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parasë, nga prokuror, gjykatës, zyrtarë të doganave, ATK-së, AKI-së, si dhe përfaqësues nga Sektori i Operacioneve për Financimin e Terrorizmit FBI. /kp