Për herë të parë pas raportimit në media se provimin e jurisprudencës e ka të falsifikuar, ka folur kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, i cili ka sqaruar se Prokuroria e Shtetit dhe Prokuroria e EULEX-it e ka hetuar dhe është vërtetuar se dosja e kryeprokurorit të shtetit nuk ka qenë e manipuluar në asnjë mënyrë.
“Prokuroria e Shtetit së bashku me prokurorët e EULEX-it e kanë hetuar këtë situatë dhe kanë marrë një vendim me të cilin është vërtetuar se dosja e kryeprokurorit të shtetit nuk ka qenë e manipuluar në asnjë mënyrë. Ju si gazetare duhet ta dini që mediumi i juaj, e ka ftuar në një emision një njeri, i cili është dënuar me aktgjykim të Gjykatës, nga një gjykatë kompetente, e cila funksionon në Republikën e Kosovës. Dhe ditën e nesërme është ftuar në emision lidhur me kinse procedurën gjyqësore për dënimin e tij, por tema kryesore ka qenë manipulimi dhe falsifikimi i dokumentit të prokurorit të shtetit”, tha Lumezi duke iu përgjigjur akuzave të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, i cili ishte i pari që ka lëshuar një akuzë të tillë ndaj Lumezit.
Hasani akuzat se Lumezi e ka provimin e jurisprudencës të falsifikuar i ka bërë pasi që është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për falsifikim.
Këto komente Lumezi i ka dhënë gjatë prezantimit që Asociacioni i Gazetarëve e ka bërë në lidhje me lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve dhe pas pyetjeve të kryeredaktores së KTV-së Mimoza Koprani se kryeprokurori nuk ka bashkëpunuar dhe nuk i është përgjigjur ftesës në emisionin e tyre lidhur me këtë çështje.
Lumezi ka thënë se ftesat nga redaksia e Kohavison dhe Betimi për Drejtësi kanë qenë vetëm 6 deri 12 orë para emisionit.
Mirëpo, deklaroi se e ka të dhënë provimin e jurisprudencës dhe posedon si dëshmi procesverbali dhe e ka të prezantuar certifikatën në Ministri të Drejtësisë.
“Ju e dini shumë mirë se unë e kam prezantuar certifikatën e dhënies së provimit të jurisprudencës dhe regjistrin origjinal të MD-së ku shënohet që unë e kam dhënë provimin e jurisprudencës, ndërsa gazetarët profesional kanë manipuluar me dokumentacionin, i cili ka qenë në arkivin e Kosovës i pa sistematizuar, dhe ai dokumentacion nuk ka kurrfarë të dhëne që është pranuar me ndonjë procesverbal zyrtar. Dhe nuk dihet as emri i personit , i cili e ka dorëzuar atë dokumentacion po as emri i personit, i cili e ka pranuar atë dokumentacion”, potencoi ai.
Kryeproukuroi ka pranuar se ka pasur fshirje të emrit mbi dosjen e tij, por nuk ka pasur sipas tij, fshirje të emrit vetëm në këtë dosje. Kjo ka ndodhur sipas Lumezit, për shkak se është shënuar emri i një personi gabim.
“Më e rëndësishme është për mua dhe për juve si kryeredaktore ta dini që një certifikatë, por edhe patenta e juaj për patentë shofer të cilin sigurisht keni, në qarkullim juridik me palë të treta, vetëm ai është dokumenti(certifikata) i cili ka validitet, ndërsa dokumentet tjera nuk kanë validitet. Sa i përket arkivës, ne e kemi dhënë shpjegimin në raportin e prokurorit se është e vërtet se ka pasur fshirje të emrit, por nuk ka pasur fshirje të emrit vetëm në dosjen time, por ka pasur fshirje vetëm në një faqe për katër persona që janë shënuar gabimisht, dhe e dini shumë mirë se aty është shënuar emri i një personi gabim, është fshirë dhe përmbi atë emër shënuar emri im, gjë të cilën e ka vërtetuar në mënyrë shumë të qartë dhe të detajuar”, theksoi kryeprokurori i shtetit, Lumezi.
Lumezi i cili tha se e ka nisur karrierën si një gazetar i sportit, ka thënë se e kupton punën në gazetari dhe duhet të ketë profesionalizëm me fakte, jo shpikje. /KP/