Aktuale

Lumezi-Akarca diskutojnë për shkëmbimin e përvojave Kosovë-Turqi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me prokurorët nga Zyra e tij kanë pritur një delegacion të Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Turqisë, i udhëhequr nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Turqisë, Mehmet Akarca.

Lumezi ka njoftuar delegacionin nga Prokuroria e Përgjithshme e Turqisë për funksionimin e sistemit prokurorial e në veçanti të Prokurorit të Shtetit, për sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial në realizimin e misionit të tyre për sundim të ligjit.

Po ashtu, kryeprokurori Lumezi dhe prokurori i përgjithshëm Akarca, kanë biseduar për nevojën e shkëmbimit të eksperiencave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në mes të Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Turqisë.

Nga ana tjetër, prokurori i përgjithshëm Akarca ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Turqisë, për ta ndihmuar Prokurorin e Shtetit të Kosovës.