Aktuale

Lumbardhi rrezikon të shteret shkaku i hidrocentraleve

Lumi Lumbardh në Deçan rrezikon të mbetet pa ujë. Qytetarët shprehen të shqetësuar, duke thënë që shkaktari i krejt kësaj janë hidrocentralet. Ata thonë se disa ditë më parë lumi ishte shterur.

Shoqëria civile dhe banorët gjithmonë janë shprehur kundër ndërtimit të këtyre hidrocentraleve, duke e quajtur krim ndaj mjedisit, raporton KTV.

Pas kërkesës së qytetarëve dhe zyrtarëve institucionalë, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka dalë në terren për të parë gjendjen, por ende nuk kanë dalë me një përgjigje zyrtare se çfarë do të ndërmarrin ndaj kompanisë, e cila i ka ndërtuar hidrocentralet.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, thotë se nëse nuk zbatohet kontrata të cilën e kanë me kompaninë e cila ka ndërtuar hidrocentralet në këtë lum, atëherë do të zbatojnë ligjin.

Edhe ekspertët e mjedisit thonë se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve dëmton mjedisin në atë pjesë dhe se ndërtimi i tyre është në kundërshtim me ligjin për Zonat e Mbrojtura të Veçanta.