Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Agim Veliu e Fatmir Sejdiu janë emrat të më të përfolur për kryetar të ardhshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të gjithë këta thuajse e kanë thënë edhe hapur dëshirën për të marrë udhëheqjen e LDK’së. Ambicia për tu bërë shef i partisë është shtuar edhe më shumë që kur Isa Mustafa është duke qëndruar në Gjermani për shërim.
Janë bërë më shumë se dy muaj që kur Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka mbetur zbrazët karriga e kryetarit.
Isa Mustafa, që drejton këtë parti tash e disa vite është duke u shëruar në Gjermani që nga 15 janari i këtij viti.
Nga atëherë LDK nuk ka edhe kryetar që merr vendime. Në emër të tij kohë pas kohe po flasin disa nga drejtuesit e partisë, shkruan Gazeta Monitor.
I fundit që drejtoji edhe mbledhjen e kryesisë së LDK’së ishte Agim Veliu i Podujevës, që në cilësinë e kryetarit të partisë tregoi se do ta mbështesin demarkacionin.
“LDK-ja, si partia kryesore në vend dhe me grupin më të madh parlamentar e përcaktues në këtë proces, me votën në Kuvendin e Kosovës, do të hapë dyert për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”.
Agim Veliu që aktualisht është kryetar i Podujevës është edhe nder emrat më të përfolur për ta zënë vendin e Isa Mustafës.
Një dëshirë për tu kthyer në LDK dhe për ta udhëhequr atë ka shprehur ditë më parë edhe Fatmir Sejdiu.
Ai ka treguar ka forcë dhe është i gatshëm që të jetë në krye të partisë. Sejdiu thotë se i ka ndihmuar partisë në zgjedhjet e fundit dhe është i gatshëm që të vazhdoj ta bëj këtë.
“…kam energji ende dhe jam në shtëpinë time, nuk kam ndonjë problem”, ka thënë Sejdiu.
Një emër tjetër që është përfolur shumë se mund të jetë në krye të LDK’së, është edhe deputetja më e votuar në Kosovë, Vjosa Osmani.
Ajo në disa deklarata për media edhe nuk e ka mohuar një gjë të tillë.
“Nuk më intereson emri dhe mbiemri i kryetarit të partisë – kjo punë varet edhe nga strukturat e partisë që nga nëndegët e deri të kryesia. Unë synojë reforma të thella, të cilat LDK-në do ta vendosin të parën”, pati thënë Osmani në një deklarim për media.
Si më i fuqishmi i LDK’së konsiderohet shpesh herë edhe kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri. Edhe Haziri në shumë deklaratë e ka thënë se mund të jetë edhe kryetar i LDK’së.
Sipas tij, është koha për një gjeneratë të re në krye të kësaj partie. “Natyrisht se jam edhe unë do të jem një nga kandidatët dhe do të kandidoj“, ka deklaruar Haziri në media.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës udhëhiqet nga kryetar Isa Mustafa i cili erdhi në këtë pozitë më 2011.
Në zgjedhjet e fundit të brendshme, Isa Mustafa edhe se u sfidua nga Vjosa Osmani, kjo e fundit nuk u lejua që as të futej në votim.
Para tij kryetar ishte Fatmir Sejdiu, i cili erdhi në krye të kësaj partie pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova. /Gazeta Monitor/.