Aktuale

Luan Rama: Është plagosur një anëtar i LSI-së në Shëngjin

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Luan Rama, ka bërë të ditur se një anëtar i kësaj partie është plagosur sot në qytetin e Shëngjini nga tre njerëz të armatosur.

Ai ka thënë se qytetari i plagosur quhet Florian Dushku, ndërsa përgjegjës për rastin numri dy i LSI-së ka bërë kryeministrin Edi Rama dhe drejtorin e përgjithshëm të policisë Haki Çako.

“Është rasti i tretë në Lezhë që aktivistë të LSI-së plagosen nga e njëjta bërthamë kriminale që vepron atje, nga njerëz të armatosur, që në mes të ditës, në ditën për diell, shkojnë pa pasur asnjë pengesë me gjithë të ashtuquajturat shërbimet të përforcuara të policisë. Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi kryeministrin e Rilindjes, Edi Rama dhe mbi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako”, ka thënë Rama.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Lezhës të ruajnë qetësinë dhe të votojnë në mënyrë të qetë në zgjedhjet e sotme parlamentare.

Ndryshe, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës sot ka bërë të ditur për të shtëna me armë zjarri në Shëngjin, por nuk ka konfirmuar për të plagosur.