Rajon & Botë

Luan “fshehtas”, ngujohet në makinën për larjen e rrobave

Një djalë shtatëvjeçar ka mbetur i ngujuar në makinën për larjen e rrobave derisa po luante “fshehtas” me motrën e tij.

I riu është shpëtuar nga zjarrfikësit në incidentin bizar në qytetin Kharkov, në lindje të Ukrainës.

Djali, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, po luante me motrën e tij në banesë dhe për një moment mendoi se makina për larjen e rrobave ishte vendi ideal për t’u fshehur.

Por, sapo hyri brenda, ai nuk mundi të dalë dhe nisi të kërkojë ndihmë, shkruan metro.co.uk.

Asnjëri nga anëtarët e familjes së tij nuk ishin në gjendje të nxirrnin të riun nga makina për larjen e rrobave dhe ata u detyruan të kërkojnë ndihmë nga shërbimi i emergjencave, transmeton KosovaPress.

Katër zjarrfikës që dolën në vendin e ngjarjes lyen djaloshin me vaj për ta nxjerrë më lehtë nga makina për larjen e rrobave.

Fëmija nuk ka pësuar lëndime. Njëri nga zjarrfikësit ka incizuar ngjarjen dhe e ka hedhur në internet.