Aktuale

LSDM-ja kërkon zhbllokimin e proceseve demokratike

“Është e patjetërsueshme që menjëherë të zhbllokohen proceset demokratike në Maqedoni dhe Gjorge Ivnaov menjëherë t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev”, thonë përmes një komunikate nga LSDM-ja duke shtuar se për shkak të bllokadës së proceseve demokratike, Maqedonia po përballet me probleme të cilat u bëjnë dëm qytetarëve dhe tërë sistemit shtetëror.

“Bllokada e tillë do të kulminojë të hënën kur do të skadojë mandati i krerëve dhe këshillave të komunave. Të punësuarit në komuna, mësuesit, do të ngelin pa rroga dhe kompensime. Qytetarët nuk do të mund t’i fitojnë shërbimet e nevojshme nga komunat. Në atë mënyrë, edhe më shumë do të komplikohet situata në të cilën gjenden qytetarët e Maqedonisë. Për atë, është e nevojshme që të bëhet transferimi i qetë i pushtetit, me qëllim që Maqedonia sa më shpejtë të merr institucione funksionale”, thuhet mes tjerash në komunikatën e LSDM-së.

Nga partia e Zaevit apelojnë që të gjithë, përfshirë edhe Ivanov të veprojnë me vetëdije dhe përgjegjësi dhe të mundësojnë transferim të qetë të pushtetit dhe formim të Qeverisë së re reformuese.