Aktuale

Llapushniku nga sot e ka Kishën Shën Abraham

Llapushniku sot ishte pikë takimi i qindra besimtarëve katolikë të Kosovës. Në këtë fshat të Drenicës është shuguruar kisha e re e cila prej sot quhet Kisha e Shën Abrahamit.

Përveç besimtarëve në ceremoninë  e shugurimit kanë marrë pjesë edhe krerë të institucioneve të Kosovës, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministrat e Qeverisë së Kosovës Enver Hoxhaj dhe Kujtim Shala, kryetari i komunës së Drenasit Nexhat Demaku si dhe personalitete tjera të jetës publike.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, i cili edhe e ka udhëhequr mesëhn tha se Llapushniku është vend i mrekullueshëm për të pasur një kishë të tillë.

Dodë Gjergji ka dhënë edhe arsyen e ndërtimit të kishës në njërën nga kodrat e Llapushnikut. Sipas tij në historinë e fesë dhe  kombit shqiptar, kodrat, malet, bregu kanë domethënie shumë të rëndësishme.

Gjergji gjatë fjalës së tij kërkoi që të  gjithë njerëzit të jetojnë në paqe, pasi që sipas tij, paqja dhe dashuria  duhet të zënë vend në çdo pore të jetës.

 

“Papa Françesku e pat shpallë këtë vit, vit të mëshirës dhe e ka ftuar të gjithë njerëzimin, të gjithë njerëzit vullnetmirë në këtë botë që të reflektojnë në mendjen dhe zemrat e tyre e të gjejnë guximin për të bërë kthesën e duhur drejt se vërtetës dhe mëshirës së Zotit, i cili na do dhe na fal… Kohët e fundit Zoti ka shpërblyer popullin tonë me shumë të mira dhe begati shpirtërore… Kisha universale e ka ngrit popullin shqiptar në piedestalin e popujve të nderuar sidomos në këtë vit sepse na ka nderuar shumë duke ia propozuar botës bujarinë  e zemrës shqiptare dhe shpirtin e krishterë si mënyrën më të mirë të dashurisë mes njerëzve”, tha Gjergji.

Duke përgëzuar besimtarët katolikë të kësaj pjese për punën e bërë, Dodë Gjergji tha se e kanë pranuar propozimin e tyre që kisha të ndërtohet në kodër.

Ipeshkvi Gjergji ka ftuar të gjithë njerëzit e Kosovës që dashuria dhe paqja të zënë vend në zemrat e tyre, pasi që sipas tij pa paqe nuk ka as popull e as shtet.

 

“Paqja dhe liria pa dashuri janë shterpë, këndej për të çliruar frytet e lirisë dhe paqen me dashurinë, lypet që paqja dhe dashuria të zënë vend në çdo pore të jetës, në mendje dhe në zemra të secilit në familje dhe në shoqëri, në qyteza dhe në fshatra, në kisha dhe në xhamia. Pa paqe as s’ka shpi, as s’ka kishë, as s’ka xhami, as s’ka popull e as s’ka shtet. Paqja duhet të shtrihet në atë masë, saqë të respektohet liria shpirtërore e njeriut që të jetë i lirë”, tha Gjergji.

Duke folur para të pranishmëve kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se shqiptarët kanë disa fe por kanë vetëm një Zot dhe një komb ku sipas tij në këtë drejtim janë të bashkuar.

Don Marianit që do ta udhëheq Kishën Shën Abraham i tha se të jetë i privilegjuar që është drejtues i kësaj kishe.

Madje ai i tha se kolegët e tij sigurisht se janë xhelozë se nuk e kanë një kishë kaq të bukur.

 

“Don Marian, ne shqiptarët kemi disa fe por kemi një Zot dhe një komb dhe jemi shumë të bashkuar në këtë drejtim. Lutu Don Marian, këtë kishë shumë të shenjtë, këtë shtëpi të Zotit, lutu për vendin tonë, lutu për kombin tonë, lutu për familjet tona të kemi më shumë paqe të kemi më shumë mirësi të kemi më shumë dashuri për njëri-tjetrin, ta duamë edhe më shumë vendin tonë se kemi pasur shumë sakrifica Don Marian, këtë vend ku je këtu, ipeshkvi e tha shumë mirë, i përmendi  edhe dhjetëra  histori e janë me qindra e mijëra pse njerëzit afrohen tek kodrat e mëdha… Këtu don Marian, djemtë më të mirë të Kosovës, djemtë më të fortë të Drenicës, ata djem të cilët i ki edhe me veti, ata të cilët i ki në besimin katolik edhe ata të cilët janë të besimit tjetër, të cilët janë të Llapushnikut kanë qenë djemtë më të fortë dhe e kanë mbrojt këtë vend, i kanë mbrojtë këto gryka mos me mujt me depërtua me u dëmtua fëmijët tanë, familjet tona, nderi i motrave tona.. Ky është vend i shenjtë, Drenica është vend i besës, nuk ki pak besimtarë e ki krejt  Drenicën vetëm përço mesazhin e dashurisë dhe të paqes për arsye se ne jemi të gjithë bashkë”, tha Veseli, gjatë fjalës së tij.

Ndërsa kryetari i komunës së Drenasit Nexhat Demaku tha se shqiptarët shquhen për tolerancë fetare ndërmjet vete dhe se janë shembull për të gjithë tjerët.

Kryetari i  Drenasit, Nexhat Demaku tha se populli jonë është shembull i tolerancës fetare.

 

“Populli jonë me krenari është shembulli i tolerancës fetare dhe për këtë gëzon mirënjohje dhe mbështetje në opinionin e jashtëm përparimtar. Çdo ditë në përditshmërinë tonë shohim të rinj e të reja të besimeve të ndryshme  të bukur të hareshëm me plot energji për të ecur përpara duke promovuar më shumë sesa çdo objekt fetar… Gjatë vizitës së tij në Tiranë Papa Francesko ndër të tjera thoshte ‘ shqiptarët kanë më shumë se tolerancë fetare, ju keni arritë vëllazëri fetare dhe jeni shembull për të gjithë’. Unë ndihem krenar për këtë vlerë të vendit tonë që nuk është meritë vetëm e gjeneratës tonë po meritë e shumë brezave që me sakrificë e ndërtuan gjatë shekujve këtë vlerë humane dhe madhështore që kalon përmasat e një kombi e që është e ardhmja e njerëzimit”, tha Demaku.

Kisha katolike në Llapushnik ka filluar të ndërtohet para një viti ndërsa për një kohë të shkurtër punimet e saj janë pezulluar pasi që ka pasur kundërshtime nga banorët tjerë. Madje pati pasur edhe protesta nga banorët myslimanë pasi që ata nuk kanë qenë kundër ndërtimit të kishës por kundër ndarjes së lokacionit për ndërtim.

Sipas krerëve të BIK-ut në Drenas zona ku është vendosur të ndërtohet kisha është zonë ku janë zhvilluar beteja të rëndësishme mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të ushtrisë dhe policisë serbe./KP