Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk ka harruar një gjest qytetarie të cilin e kishte bërë gjatë zgjedhjeve një 98-vjeçare.
Gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas, Magazina.al kishte raportuar për votuesen e cila mendohej të ishte më e moshuara në Komunën e Drenasit.
Hamide Morina nga fshati Gllobar, kishte mposhtur moshën e saj dhe kishte dalë në zgjedhjet e fundit për të votuar për Lladrovcin, duke shënuar një kuriozitet si votuesja më e moshuar në këtë komunë.
Lladrovci për këtë gjest, dje bashkë me drejtoret e sapoemëruara, ka vizituar Hamiden në shtëpinë e saj në Gllobar, për të falënderuar për, siç ka thënë ai, aktin e lartë qytetar të treguar gjatë zgjedhjeve, transmeton “Magazina.al”.
“Ndjehesha i obliguar që me një buqetë lulesh ta falënderoj për besimin e saj dhe pritjet nga qeverisja të cilës edhe ia besoi votën”, ka shkruar mes tjerash Lladrovci për vizitën e tij tek 98-vjeçarja.

