Aktuale

Lista: Kush ishte kundër, abstenoi e nuk mori pjesë në votim për shpërndarjen e Kuvendit

Prej 120 deputetëve që ka Kuvendi i Kosovës, procesverbali i Kuvendit tregon se të pranishëm në seancë kanë qenë 97 deputet, ku 88 prej tyre kanë votuar pro shpërndarjes, 1 ishte kundër dhe dy abstenime.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka siguruar listën e votimit, ku tregohet se si votuan deputetët.

Sipas kësaj liste, në seancë kur ka nisur shqyrtimi i propozimit të grupit të deputetëve për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, kanë qenë të pranishëm 97 deputet, kurse 23 nuk kanë marrë pjesë.

Nga deputetët e pranishëm thuhet se 88 kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, kurse dy kanë abstenuar dhe 6 deputet nuk kanë marrë pjesë në votim.

I vetmi që kanë dhënë votën kundër shpërndarjes së Kuvendit, ka qenë deputeti Milaim Zeka, i cili këtë e bëri të ditur edhe pak minuta para se të fillonte seanca.

Kurse dy deputet nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu dhe Zenun Pajaziti kanë abstenuar në votim.

E janë gjashtë deputet që kanë qenë të pranishëm në seancë, por nuk kanë marrë fare pjesë në votim. Ata janë deputeti Fikrim Damka nga KDTP, mandej Mufera Srbica Sinik nga KDTP, Bahrim Shabani nga VAKAT, Duda Balje nga VAKAT, Albert Kinolli nga PRBK, si dhe Sala Berisha Shala nga PDK.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me votimin e sotëm për shpërndarjen e legjislaturës aktuale, i ka hapur rrugë shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme.

Të gjitha subjektet politike ka kohë që kanë shprehur publikisht qëndrimin për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, pasi vendi u përball me situatë te re me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale./FaktePlus