Qeveria e Kosovës ka miratuar sot projekt-udhëzimin administrativ për mallrat e liruara nga tarifat doganore.
Ministri i Financave në detyrë, Avdullah Hoti e ka arsyetuar këtë udhëzim, për të cilin tha se ka për qëllim zbatimin dispozitave të Ligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor si dhe lirimin nga tarifa doganore nga disa produkte farmaceutike që janë në këtë citostatikët.
“Ky udhëzim liron nga tarifat doganore produktet farmaceutike të përfshira në listën e emrave ndërkombëtar jo pronësor të identifikuara me numrat abstrakt të regjistrimit të shërbimeve kimike të përfshira në listën e produkteve farmaceutike… Arsye e rekomandimit të lejimit është humanitare pasi kemi të bëjë kryesisht me substanca aktive farmaceutike që trajtojnë sëmundjet kancerogjene. Produktet e identifikuara dhe klasifikuara në këto kode tarifore zbatuara në udhëzimin administrativ nuk kanë ndikim fiskal në të hyrat tatimore”, tha Hoti.
Po ashtu Qeveria ka miratuar edhe raportin lidhur me aktivitetet e kryera për fillimin e mbledhjes së premiumeve dhe funksionalizmin e sistemit të informimit shëndetësor.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, theksoi se kjo Ministri po vazhdon me aktivitetet për implementimin e planit të veprimit të dorëzuar në fillim të vitit në qeveri. MSh, sipas tij, po punon që plani i veprimit që është bërë dorëzuar më herët të implementohet dhe do të targetohet në afatet e caktuara nga Ministria.
“Drejt fillimit të kushteve për fillimin e mbledhjes së premiumeve, konkretisht tash po punohet në rekrutimin e stafit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe jemi në fazën finale të rekrutimit. Janë duke u finalizuar dhe konkretisht janë në diskutim publik Udhëzimet Administrative të cilat rregullojnë fushën e kushteve të kontraktimit të barnatoreve dhe çmimeve të barnave nga pakoja bazike. Mbetet mjaft sfiduese në implementimin e Planit të Veprimit te çështja e tejkalimit të dilemave që kanë dalë nga koha e koordinimit me agjencinë e ndryshme, të cilat kanë rol mbështetës në funksionalizimin e fondit të sigurimit shëndetësorë që është dashur të adresohen në plotësim ndryshimin e ligjit për sigurimet shëndetësore kur dihet që tashmë nuk e kemi kuvendin funksional”, theksoi ministri Rrahmani.
Kryeministri në detyrë Isa Mustafa ka kërkuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci që për mbledhjen e ardhshme ta këtë një informatë kabineti qeveritar rreth procedurave që po zhvillohen në lidhur me arbitrazhin e “Axos”.
“E kisha lutë ministrin Stavileci që për mbledhjen e ardhshme ta kemi një informatë rreth procedurave që po zhvillohen lidhur me Arbitrazhin e “Axos” që ta dimë si Qeveri ku kemi dhe ta mbajmë atë situatë në informim”, theksoi Mustafa.
Qeveria ka miratuar edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimit e të drejtës në pension, në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kroacisë./KP