Aktuale

Lipjani të ketë më shumë fonde për bujqësi

Oda e Afarizmit të Kosovës ka zhvilluar një takim me përfaqësues të komunës së Lipjanit për të parë nga afër problemet me të cilat ballafaqohet kjo komunë, me theks të veçantë ato të sektorit të bujqësisë.

Nijazi Ibrahimi, zyrtar për bujqësi, tha se komuna e Lipjanit tash e sa kohë po përballet me mungesë të fondeve në bujqësi.

Alarm më të madh Ibrahimi ka ngritur për mungesën e fondit të veçantë ndaj fatkeqësive natyre, me të cilat është përballur për vite të tëra kjo komunë.

“Kemi mungesë financiare për bujqësi dhe buxheti ynë nuk mund t’i mbulojë të gjitha. Me vite të tëra jemi përballur me fatkeqësi natyrore siç janë ngricat, vërshimet, erërat e ndryshme dhe asnjëherë nuk kemi pasur fond të veçantë, të caktuar për mbështetjen e këtyre dëmeve”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi i ka shprehur OAK-ut nevojën për rritjen e buxhetit komunal në sektorin e bujqësisë, meqë sipas tij, buxheti për vitin 2017 është i njëjtë me atë të vitit të kaluar.

“Më vonë kane filluar disa subvencione dhe grante por vetëm disa kanë arritur që të gëzojnë këto benefite. Vitin e kaluar (2016) sektori i bujqësisë kishte buxhet 100.000 euro prej të cilave 45.000 ishin ndarë për kultivimin e mjedrës, 45.000 të tjera për sera dhe 10.000 të ndryshme. Ky buxhet vazhdon të jetë i njëjtë edhe për vitin 2017, tha Ibrahimi.