Aktuale

Linja 3 e autobusëve proteston kundër taksive ilegalë

Autobusët e Transportit Urban të linjës 3 në kryeqytet, kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës.

Ata kanë kërkuar pastrimin e tregut nga taksitë ilegalë përkatësisht nga kombibusët privatë.

Njëri nga përfaqësuesit e Operatorëve të linjës numër 3, Skender Vitja tha për KosovaPress se qëllimi i kësaj proteste është kundërshtimi i punës ilegale që po e bëjnë kombibusët, gjë që sipas tij po e dëmton financiarisht punën e autobusëve të kësaj linje.

Ai paralajmëroi se nëse askush nga zyrtarët komunalë nuk merr përgjegjësi për këtë çështje, atëherë do të marrin masa edhe më radikale.

“Qëllimi jonë që sot po protestojmë është që për shkak të punës ilegale të cilët e bëjnë kombibusët sidomos në linjën numër 3 ku ne e kemi të pamundur të punojmë ashtu siç duhet të punojmë të mbulohemi me punët tona ditore se mos të themi diçka me të mbet, por as punëtorët nuk mundemi me I paguar…..Sot jemi dal kemi deri në ora 12:00 nëse nuk del kerkush nuk na garanton që tregun dojnë me na e pastruar atëherë na me punuar atëherë ne do të protestojmë edhe nesër edhe pasnesër dhe nuk e dimë as vet ku do të dalim ndoshta edhe do të vjen dita që edhe që nuk është mirë që do të eskaloj se dikush më bëhet i padurueshëm”, tha ai.

Sejdi Jashari, përfaqësues i linjës numër 3 tha për KosovaPress se nga 1 Korriku i këtij viti nuk do të vazhdojnë mujoret e lëshuara nga trafiku urban duke përfshirë edhe pensionistët.

“Prej të parit kemi marrë vendim mujoret e pasagjerëve siç janë pleqtë, mujorët e trafikut urban më nuk do të vazhdohen kemi ndërmend me marr edhe masa të tjera, nëse nuk ndërmerr komuna kemi ndërmend me vazhduar ne me protesta”, shtoi ai.

Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, lidhur me këtë protestë tha se Inspektorati i Komunës në baza ditore vepron kundër taksistëve ilegal.

Sejdiu tha se operatorët e linjës 3 nuk i përmbahen itinerarit kohor dhe nuk ofrojnë shërbime të duhura.

“Inspektorati i Komunës së Prishtinës në baza ditore vepron kundër taksistëve ilegale apo kombibusëve ilegal, por gjithashtu kjo nuk është e mjaftueshme sepse edhe shërbimi duhet të jetë në nivel……Përfundimisht mendoj që mënyra se si po mendojnë me zgjidh këtë problem është përveç se jo e duhur është edhe problematike për faktin që shërbimin për qytetarin po e ndalin”, tha Sejdiu.

Lidhur me ndërprerjen e mujoreve Sejdiu për KosovaPress, tha se linja 3 ka kohë që sillet shumë keq me pensionistët./KP