Aktuale

Limaj: Vushtrria do të ketë përkrahje nga Qeveria

Nisma për Kosovën ka hapur fushatën zgjedhore në qytetin e Vushtrrisë, ku banorëve të këtij qyteti u është premtuar mirëqenie ekonomike, barazi sociale e solidaritet shoqëror ku qytetarët do të kenë mundësi të barabarta në vendimmarrje politike, sociale, arsimore e kulturore.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryetar i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatin e këtij subjekti për të parin e Vushtrrisë, Avdullah Vojvodën, ndërsa ka thënë se qyteti i Vushtrrisë meriton mirënjohje të madhe për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë për 20 vjet rresht atij.

“Unë dua të falënderoj dhe të shpreh mirënjohje ndaj qytetarëve të Vushtrrisë, të cilët më kanë mbështetur për 20 vite, edhe më kanë votuar edhe më kanë mbështetur në çdo fshat të komunës së Vushtrrisë dhe ne nuk i harrojmë. Ne do të jemi afër këtij qyteti, ne do të jemi afër këtyre qytetarëve, për t’i mbështetur fuqishëm me angazhimet tona, me projektet tona nesër në qeverisjen lokale nga ndihma dhe projektet që do të vijnë nga qeverisja qendrore”, ka thënë Limaj.

Kandidati i Nismës për kryetar Avdullah Vojvoda, tha se Vushtrria në tri mandatet e kaluara është udhëhequr nga një politikë, e cila nuk ka arritur të trajtojë problemet e qytetarëve. Ndërsa ka thënë se së bashku me ekipin e tij do të jenë ndryshimi për Vushtrrinë.

Ai ka thënë se si kryetar komune, zhvillimin ekonomik lokal do ta orientojë në strategjinë zhvillimore 2018-2021, duke pasur në qendër të objektivës qytetarin.

“Nisma është alternativë më e mirë për qeverisje në komunën tonë. Nisma për Kosovën është parti e vlerave social demokrate perëndimore dhe bazën e saj e ka në barazi dhe mirëqenie sociale të qytetarëve të saj. Nisma për Kosovën promovon zhvillimin ekonomik përmes investimeve, nga fondet publike dhe vet iniciativën biznesore për mëkëmbjen ekonomike të komunave dhe shtetit. Përkrahë dhe subvencionon bizneset private, për rritje dhe zhvillim që krijon bazë të mirë për zbutje të varfërisë”, ka thënë Vojvoda.

Ndërkaq, deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, duke i ofruar mbështetje kandidatit të Nismës ka thënë se për të ditur gjendjen e një qyteti mjafton të shihet gjendja e teatrit të tij, duke aluduar në gjendjen jo të mirë që aktualisht teatri i Vushtrrisë ka.

Krejt në fund, ai ka ftuar qytetarët vushtrrias që të votojnë për Nismën në mënyrë që të ndodhin ndryshimet aty./KosovaPress/