Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj konsideron se ‘rehatimi’ i shërbyesve partiak në pozita të ndryshme institucionale është një “ves i keq”, të cilin thotë ta ketë trashëguar edhe qeveria aktuale në krye të së cilës është Ramush Haradinaj.
Megjithatë numrin e madh të zëvendësministrave i cili ka shkuar në 72 Limaj, e arsyeton me faktin se është si rezultat i krijimit të qeverisë nga një koalicioni i gjerë partnerësh.
“Është e vërtetë ajo që e thoni ju, është kriju një ves i keq nga qeverisjet e kaluara dhe ky ves i keq na ka përcjellur edhe neve ndoshta për shkak të shumë partnerëve në koalicion, por unë pres qe qeveria të arsyetojë më punë”, tha Limaj në një intervistë për “Gazeta Blic”.
Ai bëri të ditur se në bazë të marrëveshjes së koalicionit, partisë që ai e drejton Nisma për Kosovën, i kanë takuar tri ministri dhe 12 zëvendësministra, të cilët thotë të jenë sistemuar tashmë.
“Nisma për Kosovën ka tri ministri dhe 12 zëvendësministra, kështu ka qenë sipas marrëveshjes së koalicionit”, ka deklaruar Limaj.
Por me numrin e madh të anëtarëve të kabinetit qeverisës edhe punët nuk janë të vogëla sipas zëvendëskryeministrit Limaj. Ai thotë se deri më sot kjo qeveri është përballur me problemet e qytetarëve dhe shpreson se do ta ruaj këtë ritëm edhe për tri vitet e ardhshme.
“Unë ju siguroj që deri më sot kjo qeveri është përballur me problemet e qytetarëve dhe shpresoj që ky ritem, kjo dinamikë dhe përgjegjësi të vazhdoj edhe në të ardhmen. Unë jam pro një qeverisje aktive e jo një qeverisje që lavdohet për asgjë që nuk ka bërë, të tilla nuk i duhen Kosovës. Kjo qeveri pres që me ia kthy shpresën vendit”, u shpreh ai.
Ndryshe, me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës i cili është miratuar të mërkurën zëvendësministrave i është zvogëluar paga nga rreth 1 mijë e 300 euro sa ka qenë paga e tyre bruto, në 1 mijë e 150 euro.