Aktuale

Limaj parashikon zgjedhje sivjet (Video)

Shefi i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se shtyrja e votimit të sotëm të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është bërë pasi koalicioni qeverisës e ka parë që nuk i ka votat për ratifikimin e saj.

“Sot kanë mundur të bëhen dy gjëra përnjëherë dhe t’i jepet fund kësaj qeverie: Të votohet ose të pranojë qeveria që kjo marrëveshje nuk bën”, ka thënë Limaj në televizionin Rrokum.

Limaj ka thënë se koalicioni sot e ka parë që nuk i ka votat për ta votuar demarkacionin, sepse deputetët nuk janë bindur që ky variant është ashtu siç po thotë Komisioni Shtetëror.

“Kosova duhet të japë përgjigje shtetërore, parlamentare për demarkacionin, sepse në Kuvend ka deputetë që e kundërshtojnë marrëveshjen dhe të tjere që kanë dilema”, është shprehur Limaj.

Shefi i Nismës po ashtu ka komentuar edhe deklaratën e Presidentit Hashim Thaçi, i cili mbrëmë ka thënë se dy ekspertë i kanë thëne se e dinë që demarkacioni është në rregull, por se nuk munden të tërhiqen, sepse koriten.

Duke qeshur, Limaj ka thënë se është stili i tij, stil i mahallës, dhe se krejt Kosova e ka kuptuar atë.

Limaj ka vlerësuar se mungesa e Listës Serbe sot në Kuvend nuk ka qenë për shkak të demarkacionit.

“Koalicioni i ka premtuar se do t’ia plotësojë disa kërkesa Listës Serbe, dhe pa u bërë plotësimi i tyre, Lista Serbe nuk merr pjesë në Kuvend për këtë çështje”, ka thënë Limaj.

Ai ka vlerësuar se Qeveria ka dy rrugë: të jetë e përgjegjshme dhe të kthehet t’i ftojë partitë opozitarë ta rishikojnë këtë marrëveshje, pasi ato janë të gatshme për këtë.

Sa i përket mospjesëmarrjes në protestën e organizuar sot nga Lëvizja Vetëvendosje, Limaj ka thënë: “S’kemi marrë pjesë në protestë, sepse e kemi ditur që do të dështojë me vota, në rrugë institucionale”.

Limaj ka folur edhe për humbjen e mundshme të përkrahjes ndërkombëtare.

“Sa i përket asaj që thuhet nga disa se nëse nuk e kalojmë këtë marrëveshje, i prishim punët me miqtë tanë amerikanë e evropianë, kjo është e palogjikshme, sepse nëse prish harmoninë brenda popullit, atëherë nuk ka efekt kjo miqësi”, është shprehur Limaj.

Kryetari i Nismës për Kosovën ka parashikuar se Kosova brenda këtij viti do të shkojë drejt zgjedhjeve.

“Nuk shkon kështu më. Ky koalicion është i pasinqertë dhe mashtrues”, ka thënë Limaj.