Nisma për Kosovën sonte ka hapur fushatën në Obiliq, ku krerët e kësaj partie ua kanë kërkuar votën qytetarëve të kësaj komune, që të bëhen pjesë e ndryshimi që po vjen për këtë komunë dhe tërë Kosovën.
Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj theksoi se janë parti që qëndrojnë afër qytetarëve dhe dinë të ndërtojnë ura të komunikimit me të gjithë ata që kanë projekte të mira.
Limaj shtoi se ata zotohen, por nuk premtojnë sikur të tjerët që premtojnë e nuk i mbajnë premtimet.
“Kosova ka probleme të llojllojshme, të shumta, por nuk e ka asnjë të pazgjidhshme. Ky shtet për ë cilin është sakrifikuar, është derdh djers e mund, ka nevojë për punëtorin, ka nevojë për njeriun që e donë. Ky shtet ka nevojë ta drejtojë ata që e duanë atë. E njëjta gjë është edhe për qytetin, nuk mundesh me qenë një kryetar i mirë, nëse nuk jeton me hallet e qytetarët, nuk mundesh me qenë kryetar i mirë i një komune nëse nuk je krenar me komunën tënde. Nuk mund t’i shërbesh qytetarëve nëse nuk bashkëjeton edhe me hallet, edhe me gëzimet e bashkëvendësve tuaj. Këto janë kuadrat e Nisma për Kosovën dhe kjo është shkolla politike e Nismës”, tha Limaj.
Limaj kërkoi votën për kandidatin e tyre për kryetar të Obiliqit, duke thënë se ai ka vendosur që përsëri të jetojë me hallet e qytetarëve, siç ka jetuar dhe e jeton ende.
“Ndryshimi po vjen, kësaj fitore është mirë t’i bashkohen njerëzit. Nuk është mirë që më 23 tetor në rrugët e Obiliqit mos me qenë pjesë e asaj fitore, bashkohu me kohë dhe bëhu pjesë e ndryshimit të Obiliqit. Ndihmoni bashkëqytetarit tuaj, një njeriu që ka vendosur të qëndroj me hallet e juaja. Në katër vitet e ardhshme, ky është angazhimi i Nisma për Kosovën, të mos na mbetet asnjë familje pa një të punësuar dhe këto premtime, zotime kemi filluar t’i zbatojmë. Po ju them në Obiliq, asnjë familje në Kosovë nuk do të mbes pa një njeri të punësuar”, u shpreh Limaj.
Kryetari i degës së Nisma për Kosovën dhe kandidati për kryetar të Obiliqit, Mexhit Krasniqi tha se të gjitha rrugët në Obiliq dërgojnë kah ndryshimi dhe nuk mundet askush t’i ndalë qytetarët për ndryshimin e Obiliqit.
Premtoj se do të insistojnë që qytetarët e Obiliqit të kenë prioritet punësimin në KEK, pasi theksoi se është mbushur me Drenicë e Llap.
“Ne do të insistojmë që ligji për Obiliqin dhe do të insistojmë fuqishëm dhe nuk do ta lëmë rehat Fatmir Limajn që prioritet ta kenë qytetarët e Obiliqit në Punësim. Jo me ardhur, fatkeqësisht siç po na vijnë, nuk kam asgjë kundër as Drenicës as Llapit, por është mbushur me Drenicë e Llap, e njerëzit e tonë kanë mbetur. E kanë afër këtu dhe nuk kanë mundësi të punësohen. 3 mijë vende të punës janë premtuar para këtij mandati, a ka hyrë dikush, nuk mund të hyjë me këta qeverisës, të cilët që 17 vjet ia kanë qit saçin përmbi Obiliqit. Fokus i veçantë do të jetë bujqësia, 65 për qind e territorit është e përbërë nga tokat bujqësore. Projekti i Nismës është i qartë, ne insistojmë që asnjë pëllëmbë e Obiliqit mos të mbetet djerrinë”, theksoi Krasniqi.
Pretendenti për kryetar të Obiliqit shtoi se ai do të jetë pranë qytetarëve dhe se do të punojë vetëm për ta, e jo për interesa personale, raporton KosovaPress./KP/