Era e ndryshimit po ndodh tashmë në Drenas dhe se ndryshimi do të ndodh të dielën. E muri në Mitrovicë po e thellon ndarjen e vendit.
Kështu tha lideri i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj në Forumin “Fol Hapur”, organizuar nga Lëvizja FOL.
“Besoj që tashmë për të gjithë është i njohur raundi i parë edhe për skeptikët me të mëdhenj që në Drenas po fryn era e ndryshimit. Edhe në Drenas ka një frymë tjetër të komunikimit dhe llogaridhënies, sidomos rezultati në raundin e parë ka treguar që qytetarët e Drenasit më nuk janë të gatshëm të japin votën e tyre pa kërkuar llogari. Besoj që kjo erë ndryshimi që po ndodh në Drenas, është refleksion i gjithë asaj që është duke ndodhur në Kosovë. Kemi një ballafaqim mes vullnetit dhe dëshirës prej qytetarëve të Drenasit dhe grupeve politike atje për ta ndryshuar gjendjen në njërën anë. Dhe në anën tjetër pushteti i cili po bënë çdo gjë që të mos lejojë ndryshimet, të frikësoj njerëzit nga ndryshimet”, tha Limaj.
Ndërsa duke folur për murin e ndërtuar së fundi në Mitrovicë, Limaj tha se ky është një nga pasojat e dialogut Kosovë-Serbi dhe pasojë e një aventure të papërgjegjshme politike, e cila po thellon ndarjen e vendit. Sipas tij drejtuesit shtetëror të vendit, janë futur në një aventurë politike dhe se e kanë futur Kosovën në një pozicion jashtëzakonisht të rëndë, në skenën ndërkombëtare.
“Ky dialog ka sjellë ndarjen e të gjitha institucioneve lokale në pjesën verore të Kosovës. Dhe kulmi i këtij dialogu është kjo simbolika e murit, për të cilin po flasim këto ditët e fundit. Muri siç po duan ta paraqesin disa këtu sot nga pushtetarët, se sa është i lartë, e sa është i gjerë, e sa është i gjatë, kjo vetëm në Kosovë mund të flitet. Fatkeqësisht vetëm tek ne është luksi për ta bërë një analizë të tillë. Muri nuk vlerësohet sa është i lartë e i gjerë. E vlerëson simbolika e murit. E simbolika e murit gjithkund është ndarja. Si përmendet muri është ndarja, simbolika. Ai mur mund të jetë 20 centimetra 30. E rëndësishme është simbolika e tij. Dhe simbolika e murit sot atje që është ndërtuar në Mitrovicë, përfundimisht bënë rrumbullakësimi dhe thellimi i ndarjes së vendit tonë. Sot fatkeqësisht në pjesën veriore të Kosovës, nga këto bisedime është duke u thelluar dhe ndarja formale”, tha ai.
Ndërsa sa i përket demarkacionit ai tha se Qeveria ka rënë në kurthin të cilin e ka ngritur vet, duke kërkuar që të vihet si kusht në Bruksel, duke thënë se nuk e kanë problem këtë çështje për ratifikim. Ndërkaq thotë se si deputet i këtij vendi nuk mund të jap votë, për diçka pa e ditur sigure se vendi nuk po dëmtohet dhe po humb tokë.
“Jam deputet i parlamentit të Kosovës. Dua që para se të jap votën me kanë qind përqind i sigurt se nuk jam duke e dëmtuar vendin tim. Kjo është gjëja më normale. Nëse Arbitrazhi do të thotë është OK do të jetë në rregull…Sot mjaftueshëm kemi dy opinione të kundërta Pro marrëveshjes dhe kundër. Për një deputet të përgjegjshëm të këtij parlamenti, mjaftueshëm është që mos me guxu me dhanë votën, deri sa të qartësohet. Ne nuk mund të japim votë për këtë marrëveshje derisa nuk jemi të bindur”, tha ai.
E sa i përket kodit telefonik, Limaj thotë se Kosova e ka pasur një ofertë të tillë në vititn 2008, që Kosova ta ketë një kod gjeografik ku pronare është Serbia.
“Këtë ofertë që Kosovës me ia dhanë një kod gjeografik rajonal, e kemi pasur në 2008. Ama atje me kanë pronar Serbia. Përmes Serbisë. Pronar është Serbia..Te ITU certifikimi është krahina e Kosovës, pjesë e Serbisë. Serbia është pronare dhe ia jep një pjesë të territorit të vet një kod ”, tha ai.
Ndërsa beson se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në pranverë, pasi që duhet të ndryshohet kjo qeverisje e papërgjegjshme, e cila sipas tij si qëllim ka mashtrimin e opinionit publik dhe e cila s’ka pasur asnjë sukses të vetëm. Ai thotë se brenda kësaj qeverie ka një mosbesim mes partnerëve të koalicionit dhe se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme. Limaj thotë se qeverisja e tanishme është anemike dhe jashtë kontrollit, andaj zgjedhjet janë të pashmangshme.
“Po flasim për dy partnerë, të cilët absolutisht nuk janë të interesuar për me pas sukses në këtë Qeveri. Janë të interesuar që sa më shumë telashe dhe pengesa me i pas njëri tjetri. Prandaj qytetarët duhet të kenë kujdes. Janë dy parti të mëdha që e urrejnë njëra tjetrën…Kanë një mosbesim dhe si duket po e bojkotojnë njëri tjetrin…Besoj që në zgjedhje do të shkojmë për shkak të dështimeve dhe pakënaqësisë së qytetarëve…Se do të ketë zgjedhje të parakohshme s’kam dilemë…As pranvera nuk do ta zë këtë Qeveri”, tha ai./KP