Aktuale

Limaj: Mos votoni kandidatët që votojnë kundër interesave të vendit

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj gjatë një takimi që ka pasur sot me të rinjtë e Podujevës, u ka premtuar atyre një vend meritor në qeverisjen e ardhshme.

Limaj për qytetarët e Podujevës pati edhe një porosi, që të mos votojnë deputetët që votojnë kundër interesit të vendit, vetëm pse ju thotë “shefi”.

“Allahile mos na qoni deputetë që 15 herë e ndërron mendimin brenda një sekondi. Mos gaboni me votu deputet që tjetër gjë flasin, tjetër gjë votojnë edhe mos gaboni me na dërguar deputetë që dalin në foltore dhe thonë po kjo është kundër interesit të Kosovës, kjo punë që po dojna me votu është kundër interesave të Kosovës, por po duhet me votua se kështu po na thotë shefi”, tha ai.

Limaj ka shtuar se në Kuvendit të Kosovës i duhen deputetë që kanë unitet njerëzor dhe që janë profesionalisht të përgatitur. Para qytetarëve të Podujevës, Limaj paraqiti edhe projektin e vetëpunësimit, ku tha se ky projekt i shërben më së shumti vajzave dhe djemve të Kosovës.

Anita Mulolli, kandidate për deputete nga Nisma, tha se i është bashkuar kësaj partie për të dhënë kontributin e saj për të mirën e vendit. Ndërsa tha se me Nismën për Kosovën, kthehet besimi i qytetarëve në shtetin e Kosovës.

“Me Nismën do të nis çdo gjë në rrugë të mbarë. Andej ne thërrasim të gjithë ata që duan një nismë të re dhe të mbarë. Kjo do të thotë se me Nismën kthehet besimi në shtetin tonë, që me aq mund dhe sakrificë përgjatë shekujve e ndërtuam”, tha ajo, raporton KosovaPress.