Aktuale

Limaj: Lipjani do të përfaqësohet fuqishëm në qeveri pas 11 qershorit

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, të enjten ka bërë hapjen e fushatës zgjedhore në Lipjan për zgjedhjet e 11 qershorit. Ai para qytetarëve dhe strukturave të Nismës është shprehur i bindur se do të jenë në qeveri dhe se misioni i tyre është të sigurohen që të mbahen premtimet e bëra.

Limaj tha se ndryshe nuk mund të qeverisin, përveç se duke mbajtur fjalën dhe se ky do të jetë misioni kryesor.

“Po ne do të jemi në qeveri, por misioni jonë kryesor në qeveri do të jetë, ne do të sigurohemi që të mbahet fjala nga ata që po premtojnë sot. Me Nisma aty fjala duhet të mbahet, ndryshe nuk mund të qeverisim”, tha Limaj.

Limaj porositi qytetarët e Lipjanit që të kenë kujdes dhe që të mos votojnë për njerëzit që një herë i kanë zhgënjyer dhe i kanë tradhtuar. Ndërkohë tha se parlamenti është për njerëz që janë të gatshëm të marrin vendime të lirshme dhe të palëkundshme.

“Parlamenti është aty për njerëzit, të cilët janë të gatshëm të marrin vendime të lira dhe nuk lëkunden. Parlamenti është atje për deputet, të cilët mbi të gjitha mbrojnë interesin e vendit dhe nuk gjunjëzohen, nuk frikësohen dhe nuk trafikohet vullneti i tyre për interesa të ngushtë. Keni pas deputet që kanë thënë po valla demarkacioni është i keq, por duhet me votuar, asociacioni është i keq për Kosovën, por duhet me votuar. Jo, deputetët e Kosovës nuk duhet asnjëherë me pas ata të cilët janë të gatshëm me votua për të keqen e Kosovës. Ata janë për të mbrojtur dhe për të votuar për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Limaj.

Kreu i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, paraqiti edhe programin e partisë që e drejton, duke thënë se është një program që ka vizion. Me Nisma në qeveri, Limaj tha se secila familje në Kosovë do të ketë një të punësuar.

“Asnjë familje në Kosovë më nuk do të mbetet pa një njeri të punësuar. Do të krijojmë fondin e vetëpunësimit, ku djemtë dhe vajzat tona kreative të kenë mundësi të mbështeten për të filluar, për të nisur dhe për tu angazhuar për të hapur një vend pune për veten e tyre me mbështetjen e shtetit. Me Nisma për Kosovën do të investojmë 400 milionë euro në bujqësi, do të kalojmë nga kjo fazë e të ashtuquajtura subvencione, ka kaluar koha e subvencioneve është koha për investime të fuqishme në bujqësi, të cilat do të krijojnë hapësirë për punësimin e njerëzve tanë dhe familjet tona që kanë vendosur të merren me bujqësi të krijojnë mirëqenie për familjet e tyre. Ne duam një qeveri reformatore dhe duam reforma të thella në shëndetësi, reforma të thella në arsim”, tha Limaj.

Ndërsa, kryetari i Degës së Nisma në Lipjan, Heset Sahiti, tha se Nisma mbron interesat politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të qytetarëve të Kosovës.

“Partia Nisma për Kosovën mbron interesat politike, ekonomike dhe sociale, kulturore të shtresave të ndryshme të shoqërisë sonë, kontribuon për paqe dhe qytetari në luftë kundër diskriminimit të të gjitha llojeve. Nisma për Kosovën lufton për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, synon rritjen e nivelit të jetesës përmes luftës kundër varfërisë”, tha Sahiti.

Kandidati për deputet nga Nisma për Kosovën, Haxhi Shala, tha se kanë qenë pak në Parlamentin e Kosovës, por që kanë qenë me votë të zemrës.

Në këtë takim me qytetarët së bashku me Limajn ishin edhe disa nga kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës. /kp