Kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj thotë se viti që shkoi ka qenë vit i vështirë për vendin.
Limaj ka folur për gjendjen e rëndë që po kalon Kosova e që sipas tij krejt kjo është për fajin e njerëzve që po udhëheqin me vendin.
Në një intervistë për KosovaPress kryetari i Nismës flet për Demarkacionin, murin në Mitrovicë, zgjedhjet në Drenas dhe Gjykatën Speciale.
Ai ka thënë se sa më shpejt që mbahen zgjedhjet aq më mirë për vendin, ndërsa thotë se Nisma bashkë me partnerët e saj do të jenë mundësi e ndryshimit në vend.
Duke i përmendur problemet ekonomike, në shëndetësi e në arsim si dhe çështjen e murit në Mitrovicë dhe Demarkacionit me Malin e Zi, ai tha se kjo Qeveri po kthehet në rrezik për vendin andaj sipas tij zgjedhjet janë të domosdoshme.
“Ne mendojmë që kjo qeveri po kthehet në rrezik për të ardhmen e vendit, prandaj duhet urgjentisht të shkohet drejt zgjedhjeve për t’ia dhënë një mundësi një shans të re Kosovës. Megjithëse nuk do ta ketë lehtë kushdo që do të vjen në Qeveri, sepse këta e kanë fut në obligime të mëdha vendin me ato marrëveshje që i kanë bërë nga 2011 deri më tani, kulmi i tyre është Asociacioni. Shikoni vendi ynë është më i dezintegruar se që ka qenë para 2011-tës. Ata kanë filluar me mashtrime dhe mashtrimet po na vijnë deri sot. Ju kujtohet kur kanë thënë bisedimet teknike po fillojnë, ju kujtohet kur kanë thënë që pikat e Ban Ki Moon-it kanë vdekur, nuk do të zbatohen kurrë pikat e Tadiqit. Jo që janë marrë ato të Ban Ki Moon-it por janë shtuar 16 pika i kanë pranuar këta. Kanë thënë që po integrojmë veriun e Kosovës, doganat janë ndarë, tatimet janë ndarë, sistemi i sigurisë është ndarë, distributori i rrymës është ndarë edhe telekomunikacioni në fund e kanë ndarë. Kulmi është institucioni që do t’i koordinoj këto, Asociacioni, si organ i cili do të qeverisë me atë pjesë. Dhe krejt pastaj në fund na pikë muri si prej qielli, një mëngjes një mbrëmje të bukur. Dhe këta njerëz këtu janë totalisht të pandërgjegjshëm dhe tentojnë me hedhë fajin dhe përgjegjësinë gjithkund vetëm mos me marrë përgjegjësinë vetë për dëmet”, tha Limaj.
Duke folur për murin në Mitrovicë për të cilin Kuvendi e ka miratuar një rezolutë me anë së cilës parashihet të rrënohet në këtë muaj, Limaj thotë se nëse ai mur nuk rrënohet atëherë kjo tregon se ai është ndërtuar me miratimin e tyre.
Duke iu përgjigjur kryeministrit Isa Mustafa që ia ka lënë fajin opozitës për mos liberalizim të vizave duke mos e votuar demarkacionin, kryetari i Nismës thotë se krejt kjo qa ka ndodhë në Kosovë është përgjegjësi e kryeministrit dhe Qeverisë.
“Krejt ama bash krejt çka ka në këtë vend që është bërë keq dhe përgjegjësinë e ka kryeministri me qeverinë e tij, koalicioni qeveritar bash krejt edhe liberalizimin e vizave. Si ka ardhur deri tek demarkacioni? Me marrëveshje sekrete, të papërgjegjshme, të dëmshme. Këta janë shkuar vetë i kanë thënë Brukselit futna si kusht Demarkacionin se i kemi votat, me i pa pas votat e kishin votuar. Ju e dini që opozita nuk mundet me ndal me vota atë proces se nuk kemi votë. Por pse nuk po ndodh votimi sepse është një marrëveshje e keqe. Në vend që këta me përmirësu marrëveshjen dhe për dy jave me kry çështjen e Demarkacionit këta nuk po e përmirësojnë marrëveshjen. Pse? Sepse e dinë që e kanë bërë një nënshkrim të gabuar atje dhe me dal ajo e vërtetë dikush duhet me dhënë përgjegjësi politike dhe këta janë të gatshëm me sakrifiku vendin dhe qytetarëve mos me ua dhënë liberalizimin e vizave vetëm e vetëm q ë mos të del atë gabim që e kanë bërë me nënshkrimin e asaj marrëveshje që pak a shumë jep territor të Kosovës Malit të Zi”, tha Limaj.
Por ai thotë se kjo keqqeverisje po u ndihmon atyre shumë dhe thotë se në zgjedhjet e ardhshme do të jenë fitues.
Limaj thotë se krejt përpjekja e tyre është që vendit t’i ofrojnë ndryshimin. Ai mendon se partia e tij është e vetmja që është dyfishuar. Në këtë rast ai e përmend zgjedhjet në Drenas që sipas tij tregon se është një fitore e jashtëzakonshme e demokracisë.
“Është një fitore e jashtëzakonshme e demokracisë në Drenas sepse 55 përqind e njerëzve kanë votuar për herë të parë në Drenas për ndryshim e nën 50 përqind ose më pak kanë votuar kundër partisë në pushtet. Ne si Nismë në ato zgjedhje kemi qenë udhëheqëse opozitare si lider opozitar që kemi dal partia më e votuar, nga opozita dhe mendoj që atje është bërë një punë e jashtëzakonshme, është një ndryshim i madh duke e marrë parasysh që 16 vjet Drenasi, ju e dini si ka qenë një bastion dhe për herë të parë ka ndodh që 55 përqind e qytetarëve të Drenasit duan ndryshimin”, tha Limaj ndonëse kandidati i kësaj partie ka humbur në raundin e dytë përballë kandidatit të PDK-së.
Njeriu që është përballur me akuzat për krime lufte në dy raste, atë në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime lufte në Hagë dhe në rastin “Kleçka” ku në të dyja rastet është shpallur i pafajshëm thotë se njerëzit që e kanë votuar Gjykatën Speciale duhet të turpërohen dhe ky turp sipas tij do t’i ndjekë tërë jetën.
Limaj thotë se është dashur që të jetë një gjykatë e cila do t’i trajtonte të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë e jo një gjykatë që ai e quan raciste.
“Krijimi i gjykatës për një grup etnik ose për një grup është i padrejtë, jo fer dhe ata që e kanë votuar është vendimi më i turpshëm që e kanë bërë, e kanë dëmtuar vendin e vetë. Sikur të kishte një gjykatë, e cila do t’i trajtonte të gjitha krimet pa dallime etnike dhe pavarësisht kush e ka kryer aty do të isha në rregull, megjithatë mendoj që as për ata nuk ka pas nevojë sepse shumë sene janë trajtuar….Unë e kam një përvojë nga gjykata e Hagës dhe çështjet janë më delikate sesa siç e shohin njerëzit, që nuk besoj që kanë me prit rezultate disa që i kërkojnë, por do të ndihen keq. Prandaj unë foli lirshëm sepse ju e dini edhe unë edhe Ramushi kemi kaluar nga këto gjykata ndërkombëtare të luftës edhe e kam shumë ma lehtë me fol sepse edhe e di se çka do të thotë një ballafaqim i tillë. Por të shohë vitin që vjen secili do të marrë përgjegjësinë e vet për veprimet që ka bërë”, th a Limaj.
Sipas tij lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër dhe në Kosovë Limaj thotë se askush më shumë nuk është trajtuar nga gjyqësia sesa ushtarët e UÇK-së. Në lidhje me këto procese por edhe proceset ndaj tij ai thotë se në Kosovë nuk ka drejtësi dhe se nuk i beson kësaj drejtësie që sipas tij është e kapur nga bandat.
“Në një vend ku 90 përqind e qytetarëve të Kosovës nuk i besojnë kësaj gjyqësie çka po flasim, për çfarë procesi po flasim, për çfarë llogarie po flasim. Unë do të isha i lumtur që të jetoj në një vend ku 99 përqind i besojnë sistemit të drejtësisë. Gjithmonë ka dikush që është i pakënaqur, por të jetë 90 përqind e qytetarëve që nuk i besojnë gjyqësisë, ju këtu dilni me të gjitha sondazhet, ju dilni për ditë dhe themi se ky sistem i gjyqësisë është i kapur, i kapur, i kapur. I kapur nga bandat dhe tani, shikoni çka po them unë jam duke fol çka flasin sondazhet, sondazhet e qytetarëve që nuk i besojnë dhe një sistem i drejtësisë që nuk i besojnë njerëzit çka po pritni që me qenë i mirë a?Me qenë korrekt është ky që është”, tha Limaj.
Kryetari i Nismës nuk ka dashur të flasë për aktakuzën më të re që është ngritur ndaj tij ku akuzohet për vrasjen e dy civilëve shqiptarë në një fshat të Malishevës pasi që thotë se të gjitha do t’i thotë në gjykatë.
Limaj ka kërkuar edhe kompensim nga shteti për rastin “Kleçka” por thotë se këtë e ka bërë jo për të përfituar por që më shumë është si një porosi që kur të akuzohet dikush të jenë të kujdesshëm që mos t’i akuzojnë njerëzit pa prova dhe mos t’ua rrënojnë jetën njerëzve./KosovaPress/