Aktuale

Limaj: E diela, dita e ndryshimeve për Drenasin

Nisma për Kosovën ka përmbyllur sot fushatën për kryetar të Drenasit. Në një tubim të mbajtur në Palestrën e Sporteve në këtë qytezë u tha se ndryshimet e mëdha po vijnë dhe se e diela do të jetë dita e ndryshimeve të mëdha për Drenasin

Fillimi i tubimit kaloi me disa probleme ku në sallën ku pritej të fillojë ceremonia është ndalur rryma.

Kandidati i Nismës për këtë komunë Isa Xhemajlaj ka fajësuar rivalët e tij se sa herë po ka fushatë po i ndalet rryma.

Xhemajlaj tha se kjo fushatë përfundimisht  po i jep fund kapjes së  Drenasit, nga individë  të papërgjegjshëm të cilët e sollën Drenasin në këtë gjendje. Ndërsa tha se nga e hëna vendit do t‘i kthehet zhvillimi dhe liria e fjalës dhe veprimit.

“Nuk mund të rri i heshtur përballë asaj që po ndodh para syve të mi. Unë nuk mund të rri i heshtur duke parë se si intelektualët të frikësuar nga disa matrapazë që qëllim kryesor kanë vetëm pasurimin nuk i kam sot në sallë.  Unë asnjëherë dhe në asnjë institucion këto ditë nuk kam qenë sepse ato janë të pavarura dhe paguhen nga buxheti i shtetit. Por jo nga buxheti i atyre harambashëve që shkojnë dhe i kërcënojnë që nuk guxojnë të mendojnë ndryshe përveç si në sistemin komunist. Unë iu garantoj arsimtarëve, punëtorëve shëndetësorë se nga e hëna do të jenë vërtetë të lirshëm të mendojnë dhe veprojnë ashtu bash si ua do zemra. U bë një kohë që e kam ditur se këta njerëz vërtetë nuk janë të ndershëm. Por pandershmëria të shkojë deri aty se sa herë unë kam fushatë t ndalet rryma vërtetë kjo nuk do koment”, tha ai.

Ndërkaq Fatmir Limaj tha se fitorja e Isa Xhemajlajt është paralajmërim i ndryshimeve të mëdha. Ndërsa tha se rrymën mund t’ua ndalin, por jo dhe fjalën e lirë.

Limaj: Isa Xhemajlaj u kthye në figurë shprese (video) “ Isa Xhemajlaj dhe në këtë moment të domosdoshëm e tepër të nevojshëm për Drenasin u kthye në një figurë shprese, një figurë mundësie, një figurë  bashkuese e qytetarëve të Drenasit. Një shpresë e sigurt dhe e vetme se vetëm ky njeri dhe ne të gjithë në mbështetje të tij, mund dhe  ta ndryshoj qeverisjen në Drenas”, tha Limaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi tha se ndryshimi në Drenas ka vetëm një emër, e ai është Isa Xhemjalaj.

 

“Ne nuk dëshirojmë, s‘kemi dëshiruar kurrë s’do të dëshirojmë sot as nesër që ta blejmë vullnetin e qytetarëve të Drenasit. Ne e dojmë besimin e qytetarëve të Drenasit, për ta ndryshuar Drenasin. Kjo është kërkesa jonë dhe ai ndryshim është në numrin 11 dhe aty është emri i Isa Xhemajlajt. Nga kjo foltore iu ftoj ju që të bëheni argat të ndryshimit të Drenasit. Bashkëpunëtorë në ndryshimin e Drenasit bashke më kryetarin e ardhshëm të Drenasit Isa Xhemajlajt”, tha Krasniqi.

AAK në këtë garë ka vendosur ta përkrah kandidatin e Nismës. Deputeti i kësaj partie Daut Haradinaj tha se beson që kjo e diel do të jetë dita e ndryshimeve për qytetarët e Drenasit.

“Drenica gjithmonë u ka pri ndryshimeve dhe besoj shumë se edhe kjo e diel, do të jetë dita e ndryshimit pozitiv për Drenicën dhe juve si qytetar…Kjo prezence e kesaj makinerie te pushtetit qe vjen e sillet poshtë e lartë duke iu mashtru, shpresoj se do të ua jepni përgjigjen të dielën duke e rrumbullaksuar  numrin 11, duke e rrumbullaksuar një bashkëpunëtor tuajin. Duke ia dhënë besimin Isa Xhemajlajt”, tha Haradinaj në Drenas.

Zgjedhjet për kryetar të Drenasit do të mbahen të dielën pasi që Nexhat Demaku dha dorëheqje nga pozita e kryetarit pasi që Gjykata e Apelit ia konfirmoi dënimin me burg. /KP