Aktuale

Limaj: Duhet ndryshuar praktika e importit të madh me ligj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, tha se Qeveria e Kosovës do të jetë partner i biznesit për fuqizimin e ekonomisë, por ka ende punë për të eliminuar të gjitha pengesat biznesore.

Ai këto komente i bëri në tryezën “Prodhimet vendore në supermarkete-rregullimi i tregtisë së brendshme” organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Limaj tha se për të është shqetësuese fakti që marketet kosovare janë të mbushura me 90 për qind të produkteve të importuara, ndërsa mbulojnë vetëm 10 për qind të prodhimeve vendore.

Kjo gjendje sipas tij duhet ndryshuar dhe kjo praktikë 90 me 10 do të hiqet, në mënyrë ligjore nga MTI që t’i jepet mundësi vendit dhe të rinjve.

“Është shqetësues, alarmante nga ajo që tha Astriti, e që del nga ky raport se 90 për qind e marketeve tona janë të mbushura me prodhimet e huaja, ndërsa 10 për qind të prodhimit vendor, nëse del dikush dhe thotë se nuk kemi më shumë se 10 për qind të prodhimit vendor jemi në rregull, por nëse del dikush dhe thotë se nuk ka mundësi dhe potencial se sa 10 për qind të produkteve vendore, atëherë duhet t’i ‘përvjelim mangët’ dhe të prodhojmë sa më shumë. Mirëpo, në qoftë se kemi prodhim vendor dhe ai prodhim nuk e gjen vendin ku duhet, si dhe nuk i ka kushtet e barabarta që të ekspozohet dhe t’ju ofrohet qytetarëve të Kosovës, atëherë kemi probleme të tjera me të cilat ne jemi të thirrur së bashku me partnerët të gjemë zgjidhje dhe të shohim ku janë problemet”, theksoi Limaj.

Ai ka apeluar se që të trajtohen në mënyrë të barabartë prodhuesit. Duke mbrojtur vendimin për masat që janë marrë ndaj industrisë së miellit, Limaj tha se do të ndërmerren masa edhe ndaj produkteve të tjera të importuara.

Prioritet sipas tij, është prodhimi vendor dhe ky treg i egër siç tha ai, të rregullohet në mënyrë ligjore.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, theksoi se të gjitha të gjeturat duhet të merren për bazë me një ligj sa më të mirë për tregti të brendshme dhe të jashtme.

Ai ka thënë se prioritet kanë fuqizimin e biznesit dhe përkrahjen e prodhuesit vendor, dhe tregoi se do të marrin masa në vazhdimësia konform mbrojtjes së prodhuesit.

“Ne si prioritet e kemi fuqizimin e biznesit, natyrisht fokus të veçantë edhe në planin qeverisës kemi fuqizimin e prodhimit vendor. Falënderoj zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj që po më jep përkrahje të fuqishme në marrjen e këtyre vendimeve, vendime që vërtet për me bërë ndryshime duhet me i marrë disa vendime që nuk janë të lehta. Kemi marr masa, kemi filluar dhe besoj se jemi në proces aty ku na lejon ligji, aty ku ka mundësi. MTI, ka mundësi vetëm nëpërmjet respektimit të marrëveshjes së MSA-së dhe CEFTA-s, nëpërmjet ligjit anti-damping, aty ku shohim se ka çmime dampuara dhe do të veprojmë konform ligjit që ti mbrojmë prodhuesit vendor”, deklaroi Hasani.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv në Klubin e Prodhuesve të Kosovës, tha se një prej problemeve të gjetura në raportin e Institutit Riinvest është konsistenca në prodhim, ose e kapaciteteve jo të mjaftueshme të prodhimit si dhje marketingu i mangët.

“Në Kosovë ka nevojën të rregullohet tregu, nuk po kërkojmë që të mbyllet tregu për importet, por të kemi rregullim të tregut brenda Kosovës. ne kemi obligimet tona shtetërore ndaj CEFTA-s dhe MSA-së, por duhet që te kemi konkurrencë të drejtë brenda territorit të Kosovës. Unë besoj se në Kosovë ka produkte të mjaftueshme me cilësi të lartë, të cilët po përballen me vështirësi të shumta, vështirësi për të eksportuar jashtë Kosovës që përballen me barriera tarifore dhe jo tarifore nga shtetet e rajonit, por kemi problem të depërtojmë edhe në tregun e Kosovës”, tha Panxha.

Diellza Gashi nga Instituti Riinvest, ka prezantuar raportin e rekomandimeve të studimit “Marrëdhëniet në mes të prodhuesve vendorë dhe shitësve me pakicë”.

Në këtë studim ajo ka përmendur se ka parregullsi në treg dhe probleme në të cilat hasin prodhuesit vendorë. Ndërsa, Fatos Islami nga Elkos Grup ka thënë se shkaktar i importit të madh është mungesa e prodhimeve, përkatësisht e produkteve të mishit. /kp