Aktuale

Limaj: Arrestimi i Haradinajt tregon mosinteresimin e qeverisë për mbrojtjen e çlirimtarëve

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka reaguar pas arrestimit të kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në pjesën franceze të aeroportit ndërkombëtar Basel-Mulhouse.

“Rasti i sërishëm i ndalimit të z. Ramush Haradinaj, tani nga autoritetet franceze, duke u bazuar në urdhërarreste të Serbisë, tregon më së miri se ata që kanë biseduar dhe po bisedojnë çdo ditë me Serbinë në Bruksel, se sa të pa interesuar janë për të mbrojtur çlirimtaret dhe qytetarët e vendit nga veprimet arbitrare e kriminale të qeverisë së Serbisë”, ka shkruar Limaj në faqen e tij zyrtare në Facebook.

“Në vend që të kushtëzojnë Serbinë për t’i ndalur këto veprime dhe për të bërë tërheqjen e këtyre urdhërarresteve të Serbisë për ish-luftëtarët e UÇK’së, ata as që e kanë ngritur ndonjëherë këtë çështje në bisedime me palën serbe. Fatkeqësisht kjo është gjëndja në këtë vend, ku drejtuesit e kanë hallin e vet e jo mbrojten e qytetarëve dhe interesat e shtetit”, thuhet në shkrimin e Limajt.

“Sot, z. Haradinaj sërish po ballafaqohet me maltretime procedurale, e neve nuk na mbetet tjetër veç se të kërkojmë nga autoritetet franceze të bëjnë atë që ka qenë dashur ta bëjnë ata që për disa vite përqafohen e bisedojnë me pasuesit e Millosheviqit”, ka shkruar Limaj.

Kreu i Nismës u ka bërë thirrje autoriteteve franceze që t’ia mundësojnë kryetarit të AAK-së që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar, dhe ka kërkuar nga autoritet e BE’së dhe të shteteve europiane që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të lëshuara nga Serbia.

Haradinaj është ndaluar nga policia franceze për shkak të një aktakuze që daton nga viti 2004, merr vesh Gazeta Express.

Haradinaj është arrestuar në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar, të lëshuar nga Serbia. /Express/