Liderët e subjekteve politike të pozitës dhe opozitës kanë zhvilluar një takim urgjent me ambasadorët e vendeve të ndryshme që veprojnë në Kosovë, ku kanë diskutuar për demarkacionin me Malin e Zi, megjithatë, as ky takim nuk ka ndikuar për koordinimin e qëndrimeve në mes pozitës dhe opozitës.
Në këtë takim të pranishëm kanë qenë i pari i Partisë Demokratike të Kosovës, dhe njëherit edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa dhe Xhavit Haliti, kurse nga opozita Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi nga Nisma për Kosovën, lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ndërsa nga AAK, nënkryetari Ardian Gjini.
Me të përfunduar takimi, Kadri Veseli, nuk deshi të prononcohej për media, duke thënë sedo të deklarohet në Kuvend.
Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, tha e rëndësishmja e këtij takimi ishte edhe prania e Lëvizjes Vetëvendosje dhe krerët e partive politike. Ai shpreson që ky takim të jetë ndër takimet në të cilat do të diskutohen çështjet madhore, dhe se partitë politike të gjejnë një konsensus për interes të vendit.
Edhe pas dy orësh takimi, Haliti tha se nuk ka pas ndryshime të pozicioneve, por që sipas tij, ka një mesazh pozitiv.
“Me rëndësi është që është takimi i parë i cili edhe zyrtarisht merr pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje, dhe është takimi i parënë të cilin marrin pjesë edhe kryetarët e partive politike dhe po shpresoj që është ndër takimet që lënë për të shpresuar që për çështje madhore, partitë politike, subjektet në përgjithësi do të gjejnë konsensus për interes të vendit. Nuk do të kisha thënë se ka ndryshim të pozicioneve por ka mesazh pozitiv’, tha Haliti.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri deklaroi se në këtë takim kanë paraqitur qëndrimet e tyre kundërshtuese karshi marrëveshjes së pikës kufitare me Malin e Zi. Madje, ai tha se Vetëvendosje ka ende të njëjta qëndrime për marrëveshjen me Malin e Zi.
“U diskutua kryesisht për çështjen e demarkacionit, edhe në këtë rast ne paraqitem qëndrimet tona kundërshtuese karshi kësaj marrëveshje dhe është shumë e qartë që kjo marrëveshje e cenon integritetin territoriale të vendit dhe si e tillë asnjëherënuk bënë të sillet dhe as të diskutohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e lëre më që të votohet ajo. Pozicionet e Lëvizjes Vetëvendosje karshi kësaj marrëveshje janë të njëjta dhe ne do të angazhohemi si organizatë politike që ta ndalojmë ratifikimin e kësaj marrëveshje, kështu ta mbrojmë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Ymeri.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha partia e tyre mbanë qëndrimet e saj për demarkacionin.
Se a është i mundshëm konsensusi, nënkryetari i AAK, Ardian Gjini, tha se nuk e beson që mund të del dikush e të thotë që është i mundshëm konsensusi.
“Aleanca e mbanë qëndrimin se marrëveshja për demarkacion si është sjellë kështu është e gabueshme e kemi thënë disa herë…Nuk besoj që prej sot dikush mund të del dhe të thotë që gjithçka është e mundshme dhe ky konsensus është i mundshëm. Mendoj se kemi pas mundësi që një takim të këtij lloji ta kemi para nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacion dhe asociacion të komunave me shumicë serbe”, tha Gjini.
Por kreu i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, pati një propozim që të ndërtohet një konsensus për demarkacionin dhe të merren të gjitha pozicionet e deputetëve.
“Jemi takuar sot për të biseduar dy tri tema, për të provuar të ndërtuar një tavolinë për ndërtimin e konsensusit për tema aktuale. Tema kryesore ka qenë demarkacioni.. propozimi im është që të provohet të ndërtohen një konsensus për demarkacionin të merren ato pozicione të deputetëve të ndalura nga debati, të trajtohet seriozisht argumentet pro dhe kundër, dhe ndërtimi i një komisioni i cili praktikisht do ta rishikonte komplet”, ka treguar Limaj.
Kurse, Jakup Krasniqi, tha se për të është e pakuptimtë se si Qeveria ka shpejtuar që të procedojë ligjin për marrëveshje me Malin e Zi për ratifikim në Kuvend.
“Tema përqendrues ishte marrëveshja me Malin e Zi ..temë që për të dëshiruar shumë dhe për mua është shuam e pakuptimtë se pse qeveria ka shpejtuar shumë me e procesu ligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvend” ka deklaruar ai.
Liderët e mohuan që takimin i tyre me ambasadorët e shteteve të huaja të ketë qenë takim urgjent, ku siç thanë ata takimi është aranzhuar tri ditë më parë.
Madje në këtë takim është folur edhe për sulmin e mbrëmshëm në Kuvendin e Kosovës, ku kanë kërkuar që sa më shpejtë të gjendet autori. Ndërkohë, ambasadorët nuk janë deklaruar për media./KP