Rajon & Botë

Liderë botërorë të pranishëm në funeralin e Peresit

Udhëheqës nga e gjithë bota ishin sot në Jerusalem për funeralin e ish-presidentit izraelit, Shimon Peres.

Arkivoli i Peresit mbërriti në varreza nga parlamenti, ndërkohë që njerëzit filluan të zinin vendet e tyre në varrezat kombëtare të qytetit para se të fillonte ceremonia dhe fjalimi i përmortshëm.

Këngë hebreje vajtimi dhe lutje u kënduan ndërkohë që roja nderi vendosën arkivolin në makinë.

“Rreth 3 000 vetë morën pjesë në varrim”, thanë anëtarët e familjes.

Presidenti amerikan, Barack Obama mbërriti sot herët në mëngjes me ”Air Force One” në aeroportin ndërkombëtar në Tel Aviv për të marrë pjesë në funeralin e ish-presidentit dhe nobelistit, Peres.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas dhe një delegacion i Autoritetit Palestinez erdhën nga Ramallahu pas marrjes së lejes nga autoritetet izraelite.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, i cili kryesoi administratën gjatë përpjekjeve për të vendosur paqen në Lindjen e Mesme gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, ishte i pranishëm.

Udhëheqës të tjerë pritet të marrin pjesë në funeral, duke përfshirë presidentin gjerman, Joachim Gauck, presidenti francez, Francois Hollande dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

Ministria e Jashtme izraelite tha se 20 presidentë dhe 15 ministra të Jashtëm janë në ceremoni.

Peres vdiq të mërkurën, në moshën 93-vjeçare.

Arkivoli i Peresit u vendos dje para ndërtesës së parlamentit për një ceremoni shtetërore, që filloi me vendosjen e kurorave të kryeministrit izraelit,  Benjamin Netanyahu dhe presidentit, Reuven Rivlin,para se të lejohej publiku që t’i jepnin lamtumirën.

Dhjetëra mijëra njerëz ndenjën  në radhë për t’i dhënë lamtumirën ish-presidentit, Peres.