Aktuale

Lezhë, maskat e armatosura grabisin banesën e të moshuarve, dhunojnë dhe lidhin kryefamiljarin

Banesa e një çifti të moshuarish në Zejmen të Lezhës ka rënë pre e grabitjes në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01:45.

Katër persona ende të paidentifikuar nga policia, të maskuar dhe të armatosur, kanë hyrë nga dritarja e dhomës së gjumit, dhe kanë mundur të marrin duke dhunuar të moshuarit, disa bizhuteri, 85.000 lekë të rinj dhe 2 mijë euro. Policia thotë përmes një njoftimi zyrtar se kanë shoqëruar disa persona të dyshuar dhe po merren në pyetje, por policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 27 korrikut, por është raportuar nga uniformat blu vetëm gjatë ditës së sotme.

Sipas dëshmisë që ka dhënë kryefamiljari me inicialet P.P 58 vjeç, ai ka qenë në gjumë së bashku me gruan e tij, por janë zgjuar pasi kanë dëgjuar zhurmat. Me të evidentuar se shtëpia e tyre po plaçkitej, aty agresorët kanë kërcënuar me armë të moshuarit të cilët tentuan t’i bënin rezistencë. Për të mos hasur në pengesë, autorët e kanë lidhur kryefamiljarin e më tej kanë vepruar të lirë. Ishte çifti i bashkëshortëve të cilët me largimin e autorëve njoftuan menjëherë policinë. /Gazeta Express/