Aktuale

Lëvizja Protestante Shqiptare paraqet periudhën e Rilindjes Kombëtare

Lëvizja Protestante Shqiptare paraqet periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe ngritjen e kombit, u tha të hënën në shënimin e 200 vjetorit të Lëvizjes Protestante mes Shqiptarëve.

Kjo ceremoni u organizua nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, ku të pranishëm ishin kryeparlamentari Kadri Veseli, Myftiu i Kosovës Naim Ternava, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dod Gjergji dhe të tjerë.

Pastori Driton Krasniqi tha se Lëvizja Protestante erdhi me vonese tek ne dhe sot duam të nderojmë ata që kanë shpërnda Ungjillin gjithandej, duam të nderojmë për krijimin e kësaj Lëvizje si dhe krijimin e Manastirit.

“Po festojmë 200 vjetorin e Lëvizjes Protestante në mesin e shqiptarëve. Lëvizja Protestante në vendet tona erdhi me vonesë. Duam të nderojmë gjithashtu veprën kulmore të organizimit të Kongresit të Manastirit në vitin 1908, me efekte shumë dimensionale e jetësore për popullin tonë… Ishte e rëndësishme, se vinte në kohë turbulencash dhe i shërbeu forcimit të harmonisë mes komuniteteve fetare mysliman, ortodoks, katolik dhe protestant, në funksion të mirëqenies së përbashkët… Besimi ynë i brendshëm duhet të shpërfaqet së jashtmi, duke iu ardhur në ndihmë të gjithë njerëzve pa dallime, sepse besimi pa vepra është i kot”, tha Krasniqi, transmeton KosovaPress.

Ndërsa, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se kjo natë e sotme ka një mesazh të mirë, pasi kemi edhe përfaqësues të Kishës dhe Bashkësisë Islame.

“Shfaqja e protestantizmit tek shqiptarët koicendon me një periudhë vendimtare në historinë tonë, kjo është periudha e Rilindjes Kombëtare, periudha e ringritjes tonë politike, kulturore, shpirtërore si komb evropian dhe intelektualët shqiptar, që përqafuan ndjenjat e protestantizmit, dhanë kontribut të shquar në lëvizjen tonë kombëtare në të gjitha fazat e saj. Bashkë me intelektualët e besimeve tjera në kohën e krizave të rrezikshme historike, ata hartuan platformën tonë kombëtare për orientimin perëndimor të kombit tonë… Integrimi ynë evropian buron nga fryma dhe platforma e Rilindjes sonë Kombëtare… Besimet tona janë vlera të përbashkëta të shtetit tonë, ne mburremi me këto dhe asnjëherë nuk do të lejojmë keqpërdorimin e tyre për qëllime që bien ndesh me orientimet tona strategjike që kemi si shtet dhe shoqëri“, tha Veseli.

Kurse, për politikat ditore që po ndodhin në vend, kryeparlamentari Kadri Veseli tha egoizmat dhe inatet politikes tonë ditore, nuk duhet të na largojnë asnjëherë nga qëllimi ynë i përbashkët, anëtarësimi ynë në organizatat euro-atlantike, pasi që, sipas tij poshtërsitë me spolitikës sonë janë të shumta, por si gjithmonë do t’i kapërcejmë duke qenë të bashkuar.

“Sot jetojmë në një kohë sfiduese për të ardhmen, kemi shumë obligime për qytetarët e Republikës së Kosovës, është e nevojshme që të gjithë së bashku, kudo që jemi më përgjegjësi, si prijës fetar apo politikanë, në institucione apo shoqëri civile, biznese apo universitete, të punojmë për shtetin tonë, për demokracinë e tij, për sundimin e ligjit, për zhvillimin ekonomik që të rinjtë tanë t’i posedojnë vlerat evropianë në shtetin e tyre. Vendi ynë ka gjithë potencialin për të ecur më shpejt në rrugën e zhvillimeve dhe integrimeve. Egoizmat dhe inatet politikes tonë ditore, nuk duhet të na largojnë asnjëherë nga qëllimi ynë i përbashkët, anëtarësimi ynë në euro-atlantik. Poshtërsitë janë të shumta por si gjithmonë ne do t’i kapërcejmë duke qenë të bashkuar”, tha Veseli.

Ndërsa Pastor Femi Cakolli ka thënë se Lëvizja Protestante ka qenë një simbolik me efekt shumë të madh në komunitet të gjerë, siç është populli shqiptar./KP