Pas seancës plenare të paralajmëruar sot në Kuvend, opozita e bashkuar shqiptare po përgatitet për protestë. Mësohet se Partia Demokratike po mobilizon strukturat e partisë për protestë para orës 16:30 në Kuvend.
Kujtojmë që Kuvendi i Shqipërisë sipas njoftimit të dërguar mediave do të zhvillojë sot pasdite seancë plenare për të zëvendësuar të enjten e shkuar, pasi kreu i këtij institucioni njoftoi shtyrjen për shkak të protestës së opozitës.
Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetareve u vendos që seanca plenare të mbahet në sot nga ora 17:00.
Në rendin e ditës të Konferencës së Kryetarëve ishte miratimi i kalendarit tre javor të punimeve të Kuvendit si edhe programi i punës së parlamentit.
Mes tjerash mësohet se në seancën e sotme pritet të miratohet struktura dhe buxheti i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.