Është shtyrë seanca e paraparë të mbahej të martën, në rastin e dy ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, për shkak se mbrojtja ka parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.
Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, ka deklaruar se duke marr parasysh kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga ana e mbrojtjes së Skender Canollit, derisa të vendos Gjykata Supreme, sipas saj, nuk ka kushte për mbajtje të seancës.
Avokatja mbrojtëse e Canollit, Ibadete Veliqi-Ajvazi për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë e ka bërë, pasi sipas saj, Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit kanë bërë shkelje kur e kanë konfirmuar aktakuzën në këtë rast.
“Kanë bërë veprime të pasafatshme, aktakuza është ngritur pas afatit të paraparë ligjor”, tha ajo.
Ndryshe, më 11 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar aktakuzën në rastin e dy ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Canolli.
Gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, kishte nxjerrë aktvendim, sipas të cilit, kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve, shkruan betimiperdrejtesi.com
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, në bashkëkryerje kanë keqpërdoruar detyrat e tyre zyrtare nga viti 2008 e deri në vitin 2014.
Prokuroria pretendon se Haliti, në pozitën e shefit të sektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës dhe Canolli si ekzekutues-përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që Habib Vllasaliu, të fitojë çfarëdo dobie pasurore duke mos zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës, të datës 5 tetor 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje, në pronën e Vllasaliut.
Gjithmonë sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Haliti është njoftuar në formë të shkruar nga inspektorët e ndërtimit se duhet të veprohet në bazë të aktvendimit të 5 tetorit 2006, dhe të rrënohet objekti, të akuzuarit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i mundësuar Vllasaliut të përfitojë dobi pasurore nga ndërtimi që prokuroria e konsideron pa leje.
Ndryshe, ndaj Ismet Halitit dhe Skender Canollit, po zhvillohet edhe një procedurë tjetër penale, ku ata së bashku edhe me ish-inspektorët e tjerë të Komunës së Prishtinës, akuzohen se gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit, pasi nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e objekteve pa leje.