Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se largimi i Listës Srpska nga Qeveria ende nuk është zyrtar, andaj zyrtarët e Qeverisë së Kosovës ende nuk mund të japin komente rreth kësaj. Por, Kryeministri Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media ka thënë se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje për shkak të Listës Srpska.
Lajmin për largimin e Listës Srpska nga Qeveria e ka dhënë sot kryetari i saj, Goran Rakiq.
Rakiq ka thënë se fajtor për këtë vendim, është ngjarja e djeshme në Mitrovicën e Veriut, ku u arrestua Marko Gjuriq.
Pal Lekaj ka thënë për Gazetën Express se largimi i Listës Srpska nuk është bërë ende zyrtarisht, andaj nuk mund të komentohet rreth kësaj.
“…derisa nuk është zyrtarizuar, nuk mundem ta komentojë këtë çështje”, tha Lekaj, derisa në anën tjetër kryeministri Haradinaj po mbante konferencë për media.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se do ta vazhdojë punën, përkundër se Lista Srpska është larguar nga koalicioni qeveritar.
“Dorëheqje nuk e kam plan me dhanë. Punën kam me vazhdu”, shtoi Haradinaj.
Haradinaj ka thënë, po ashtu, se ka marrë përkrahje nga shumë deputetë, pas largimit të Listës Serbe nga koalicioni, pas arrestimit dhe deportimit të Marko Gjuriqit nga Kosova./Express/





















