Aktuale

Lekaj-O’ Connel diskutojnë për bashkëpunimin Kosovë-Britani

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj priti sot në ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’ Connel, me të cilin u dakorduan që të gjendet forma më të mira për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Lekaj njoftoi diplomatin britanik me projektet e shumta të cilat janë duke u realizuar dhe ato që kanë ngecur për t’u realizuar, si në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe në transportin ajror.

Sipas ministrit Lekaj, në Ministrinë e Infrastrukturës është duke punuar edhe në zhvillimin e projekteve që kanë të bëjnë me Hekurudhat e Kosovës.

Ndërsa, tek projektet rrugore, tha se po punohet që projektet e filluara të realizohen sipas planit dinamik të këtyre projekteve.

Gjatë këtij takimi po ashtu u bisedua edhe për zhvillimin e transportit rrugor, konkretisht autostradave si dhe për atë hekurudhor.

Ndërsa, ambasadori O’ Connel tha se janë në përgatitje të Samitit të Berlinit, ku pritet që së bashku të listojnë projektet e kësaj ministrie që do të prezantohen në këtë samit.