Aktuale

Lekaj: Nuk falim territor në këmbim të vizave

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ndonëse nuk e ka parë ende Raportin e Progresit ka komentuar se është e pakuptim që të thuhet se është bërë progres në luftën kundër korrupsionit, kur dihet niveli i tij në vendin tonë e në vend të tij të vihet demarkacioni me Malin e Zi si kushti kryesor për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai në një prononcim dhënë Gazetës Monitor ka thënë se deri më tani më tepër ka pasur fushatë se gjoja po luftohet korrupsionin se sa që ka ndodhur në realitet.

Madje ai ka deklaruar se vënia e kushtit për demarkacion me Malin e Zi është më tepër presion që po i bëhet opozitës për të ndryshuar qëndrim, por se sipas tij një gjë e tillë nuk do të ndodh nga subjekti që përfaqëson.

“Sa i përket  demarkacionit ne e kemi thënë që është e padrejtë që është vënë kriter për Kosovën dhe ne nuk  lëvizim prej qëndrimeve tona dhe nuk është faji jonë. Nuk besoj që ne  duhet të japim troje apo ta ndajmë Kosovën për një lëvizje të lirë që është e drejtë themelore e gjithë qytetarëve sepse edhe ne jemi pjesë e Evropës. Këto më tepër janë bërë me ba presion tek ne si opozitë. Ne  e kemi thënë dhe prapë mbetemi në qëndrimin tonë si Aleancë”.

Ai tha se ende nuk e ka parë Raportin e Progresit dhe sapo ta kenë në duar do ta analizojnë e do të dalin me një qëndrim ku do të shpalosin komentet e tyre.

Ndërkohë gjatë  ditës Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, derisa shpalosi raportin e Progresit për Kosovën tha se BE nuk do t’i ndëshkojë kosovarët, por nëse duhet ndëshkuar dikë atëherë ata janë politikanët që nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura për plotësimin e kushteve.