Shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj, ka qenë i ftuar në “Interaktiv” të KTV-së. Ka thënë se gjithë shqiptarët kudo që janë e sidomos bashkëpunëtorët e Ramush Haradinajt nuk kanë pritur edhe këtë vendim të padrejtë, duke iu referuar atij të sotmit që e lë në Francë ish-kryeministrin e Kosovës deri në mes të prillit.
“Ne kemi menduar se kjo maskaradë të ndërpritet sot, dhe t’i kthehet familjes, Kosovës e punës sepse me të drejtë e kemi quajtur se ‘Ramushi është Kosova’. Është bërë e tepërt që Haradinaj ta paguajë borxhin e të gjithëve”, ka thënë Lekaj.
Deputeti ka thënë se është vërejtur një përgjumje e institucioneve.
“Në ditët e para ka pasur një shkëmbim letrash, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim me homologun e tij në Francë dhe dukej një angazhim. Por në anën tjetër Serbia nuk është ndalur. Kanë dërguar diku rreth 500 faqe shkarravina. Për ne ato janë të papranueshme, sepse Ramushi e ka kaluar dy herë testin e drejtësisë. Ky është një persekutim ndaj zotit Haradinaj”, ka thënë Lekaj.
Ajo që do duhej bërë sipas Lekajt, është “që duke e njohur Serbinë dhe duke parë të gjitha ato deklarata atëherë Qeveria jonë të jetë shumë më aktive që t’i përgjigjet kësaj ofensive”.
“Ta ndërpresë edhe dialogun me Serbinë deri sa të pastrohen listat e Serbisë në Interpol. Ju e dini që ne kemi kërkuar këtë edhe me Rezolutë në Kuvend por për fat të keq nuk hasëm në konsensus te kolegët deputetë”, ka thënë Lekaj.
Duke parë procedurat, Lekaj ka thënë se “nuk përjashtohet as ekstradimi i Harainajt në Serbi”.
“Prandaj duhet një mobilizim më i madh. Vetëm ata që nuk ia duan të mirën Kosovës, e që duan që në Kosovë të ndodhte sërish luftë do të mund të bënin një gjë të tillë”, ka thënë Lekaj.
“Nuk përjashtohet mundësia për eskalim”, ka thënë tutje Lekaj, teksa ka cituar fjalët e kreut të AAK-së që mbështetja ndaj tij të jetë e matur.
Ka folur edhe për protestën e së shtunës gjithëpopullore në shesh, dhe bojkotin që AAK-ja do t’i bëjë Kuvendit të Kosovës deri në lirimin e Haradinajt. Në Kuvend, ka thënë Lekaj, deputetët e AAK-së do t’i kthente vetëm demarkacioni, FAK-u apo çështje të tjera, siç ka thënë ai me interes të jashtëzakonshëm shtetëror.