Aktuale

Lekaj: Nuk duhet të ketë prolongim të projekteve

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, inspektoi sot zhvillimin e punimeve të zgjerimit të rrugës në hyrje të Prishtinës, përkatësisht lagjen Veternik, projekt ky i financuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Ai me këtë rast u njoftua hollësisht me dinamikën e punimeve nga menaxheri i këtij projekti, si dhe përfaqësuesit e kompanisë “Sallahu”.

“Ne jemi zotuar që do t’i mbështesim projektet me vija të parapara buxhetore dhe do të kërkojmë llogari nga operatorët ekonomik dhe po ashtu edhe do të japim llogari ndaj tyre. Ajo që do të dominojë në këtë qeverisje është saktësia e projekteve, mos prolongimi që ne t’i mbështesim operatorët në bazë të kontratës së nënshkruar dhe do të përkujdesemi që të mos ketë vonesa në pagesa. Do të jemi këmbëngulës që operatorët ekonomik të jenë të ndërgjegjshëm dhe t’i kryejnë punët me kohë”, ka thënë ministri Lekaj.

Ndryshe, ky aks rrugor ka katër shirita dhe është një projekt me gjatësi prej 1.5 kilometrash, ndërsa i tërë buxheti i dy akseve rrugore është rreth 3 milionë euro.