Iniciuesi i debatit për murin e Mitrovicës deputeti Pal Lekaj ka thënë se nesër do të duhej të ndërtohej një mur ai do duhej të jetë në kufi me Serbinë, e jo të ndërtohet në veri, mu në zemër të Mitrovicës.
“Vuçiqi dhe Daçiqi po tregojnë se janë mbi kokën e Millosheviqit. Kur e shikojmë këtë Qeveri të Kosovës, kuptojmë përse ato koka ndërtojnë mure sepse nuk ka kush t’u dal përpara. Pse Kosova ballafaqohet me sfida të sigurisë, veçanërisht për Mitrovicën, ani pse marrin paga prej këtij buxheti të shtetit. Tash së fundmi ndërtohet një mur, i cili betonon ndarjen e Kosovës”, tha Lekaj.
Sipas tij kanë informata se aty prapa po ndërtohet edhe një objekt i dyshimtë.
Ai ka bërë pyetje për kryeministrin Isa Mustafa dhe Edita Tahirin se pse po lejojnë që ai mur të qëndrojë aty?.
“Kjo mund ta kthejë një rrezik të madh për shtetin e Kosovës. Këto veprime të fundit, muri dhe ndërtesa janë dy gjëra të këqija, ngase janë goditje për sovranitetin territorial të Kosovës. Nëse dikush sot e ka pranuar heshtazi ndarjen, për neve nuk do të ndodhë asnjëherë. Mitrovica do të bëhet njëjtë sikur Peja. U themi qytetarëve të Mitrovicës që të durojnë edhe disa ditë , sepse do të vijë dita kur do ta bëjmë atë pjesë një”, tha Lekaj.
Lekaj tha se në pjesën veriore ka ende targa ilegale që e kundërshtojnë Kosovën, përmendore të ‘Carave’.
“Dhjetëra herë u kemi thënë se bisedimet duhet të kenë platformë, e jo Mustafa dhe Tahiri të sorollaten në Bruksel. Apo e keni për mëditje. Andaj, si Qeveri e Kosovës edhe pse jeni e paaftë ndërmerrni diçka për parandalimin e këtyre mureve”, tha Lekaj./KosovaPress/