Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj priti sot në një takim njohës drejtorin e Komisionit për Miniera dhe Minerale, Ramiz Krasniqi, me të cilin bisedoi për çështje që kanë të bëjnë mbrojtjen e resurseve natyrore.
Me këtë rast, ministri Lekaj vlerësoi se Ministria e Infrastrukturës, është duke realizuar projekte të shumta për ndërtimin e rrugëve të reja.
Ai tha se do të kërkojë nga kompanitë që të punohet sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, brenda asaj që përcaktohet me ligj për Ministrinë e Infrastrukturës. Ministri po ashtu tha se do të punohet në atë drejtim që të kërkohet përgjegjësi për të gjithë ata që i shkelin ligjet.
Ndërsa kryetari i këtij komisioni, Ramiz Krasniqi, kërkoi nga ministri Lekaj që të arrihet një memorandum bashkëpunimi në mes të këtij komisioni dhe Ministrisë së Infrastrukturës, ku kompanitë fituese për ndërtimin e rrugëve do të obligoheshin që materialin guror ta marrin vetëm nga kompanitë e licencuara, pasi që këto kompani njëherësh janë edhe kontribuues të buxhetit të shtetit.