Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj me anë të një komunikate për media ka folur edhe njëherë për rastin e Ramush Haradinajt i cili ende është në Francë.
Ai ka thënë se Haradinaj është e vetmja pengesë që ua ndal turin serbëve.
Deklarata e Lekajt:
Vazhdimi i mohimit që Ramushi të jetë në Kosovë në krye të detyrës është një trashje e padrejtësisë ndaj tij dhe rritje e rrezikut për Kosovën.
Kjo padrejtësi po del të ketë ndodhur me shkas, ketë po e vërtetojnë veprimet destruktive e luftënxitëse të Serbisë, siç është rasti me murin, me kërcënimet për të shpallur Asociacion të Komunave me shumicë serbe sipas ligjeve të Serbisë, tentimi për të “pushtuar” territorin e Kosovës përmes një treni ilegal e me mesazhe nacionaliste, kërcënimi i Nikoliqit me përdorimin e Ushtrisë së Serbisë për të hyrë në Kosovë dhe shumë zhvillime të tjera që e vërtetojnë se ish-kryeministri dhe lideri, Ramush Haradinaj vazhdon të jetë e vetmja pengesë që ua ndalë turin, sepse është ashtu siç do të duhej të ishte gjithsecili nga udhëheqësit e Kosovës, ai është i pa kompromis përballë Serbisë që ka mbetur po e njëjta në raport me Kosovën, ajo që sjellë dhunën, vrasjet dhe shkatërrimin e çdo gjejë që është shqiptare.
Ndalimi i Ramushit dhe veprimet e Serbisë, na tregojnë se nuk jemi në situatë që të durojmë edhe me tutje ketë qeveri në Kosovë e cila lejon Serbinë që të vazhdojë të na luftojë.
Detyrë kryesore e qeverisë së vendit tonë është, të kërkojë nga BE-ja që të mos i respektojnë këto fletëarreste, shkarravina të cilat e kanë firmën e gjakatarit, Millosheviç. Në të kundërtën po marrim sinjale se padrejtësitë për çlirimtarët e Kosovës nuk do të përfundojnë ndonjëherë, e nëse është kështu, për ne është e papranueshme dhe do të marrin përgjigjen e duhur.
Durimit po i vjen fundit, aty ku ka padrejtësi nuk mund të ketë paqe!