Aktuale

LDK tregon arsyet e prishjes së koalicionit në Mitrovicë

Ashtu siç ka raportuar më herët KosovaPress-i, dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, ka dalë nga koalicioni me AKR-në në këtë komunë.

Kryetari i degës së LDK-së për Mitrovicë, Safet Kamberi, në konferencën për medie që e mbajti në Prishtinë, deklaroi se LDK-ja nuk është më në koalicion me AKR-në dhe krejt kjo ka ndodhur për shkak se kontributi i qeverisjes së LDK-së në këtë komunë për interesin e qytetarëve nuk është përfillë nga kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri.

Për këtë, ai tha se Kryesia e degës së LDK në Mitrovicë, dje në pajtueshmëri të plotë ka marrë vendimin që kjo parti të tërhiqet nga koalicioni me AKR-në dhe me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri.

 

“Ne në vazhdimësi si Lidhje Demokratike dhe si partner kryesor i këtij koalicioni kemi dhënë vërejtjet tona, ku ne kemi parë se të gjitha ato sugjerime të cilat ne kemi konsideruar se janë me interes për qytetarët nuk ka pasur një gatishmëri nga kryetari Bahtiri që të përfillen dhe të shkojnë më tutje”, tha Kamberi.

Ish-nënkryetari i Mitrovicës, tha se këto mospajtime kanë filluar edhe për shkak të ndarjes së buxhetit dhe për trajtim jo të mirë për sektorin e sportit dhe kulturës, ngase ka pasur zvogëlim të buxhetit.

 

“Këto kohët të fundit ne kemi parë një gatishmëri jo të kënaqshme e kryetarit Agim Bahtiri për t’i trajtuar këto çështje dhe ne kemi filluar këto mospajtimet tona për shkak edhe tek menaxhimi i buxhetit, mirëpo, edhe te trajtimi dhe ndarja e buxhetit nga komuna, ku kryesisht është tentuar që dikasteret të cilët i ka udhëhequr LDK, çdoherë ka zvogëluar buxhetin që mos të ketë performancë të mirë”, tha ai.

Kamberi tha se Lidhje Demokratike kanë dhënë kontributin në interes të qytetarëve dhe qeverisjes lokale në Mitrovicë, veçanërisht në arsim dhe infrastrukturë.

Kamberi tutje tregoi se për këto dy vitet e fundit në bazë të planifikimeve për investime për vitin e ardhshëm janë rreth 10 milionë euro, që është arrit edhe falë mbështetjes së Qeverisë së Kosovës.

 

“Të gjitha ato marrëveshjet të cilat ne i kemi arrit me qeverinë e Kosovës për këto dy vitet e fundit dhe planifikimet për investime për vitin e ardhshëm kalojnë shumën mbi 8 milionë euro, e falë kësaj ne po ashtu jemi futur në prioritetet e Qeverisë të marrim edhe një kredi tjetër e cila është në vlerë mbi 12 milionë e ku ishte dashur që gjatë këtij viti ose eventualisht pjesën  parë të vitit të ardhshëm të aprovohet edhe nga kuvendi komunal dhe të vazhdohet edhe më tutje”, tha Kamberi.

Ai tha se edhe në fushën e shëndetësisë në këto dy vitet e fundit e cila ka qenë si përgjegjësi e LDK-së, është dhënë një kontribut të mirë, dhe është tentuar të rriten shërbimet në veçanti në shëndetësinë primare.

Ndryshe, LDK dega në Mitrovicë në vitin 2013 kishte mbështetur në balotazh Agim Bahtirin nga AKR. /KP