Aktuale

LDK sulmon Hashim Thaçin

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vonesës së presidentit Hashim Thaçi për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, që sipas tyre kjo është një zvarritje e qëllimshme e procesit.

“Me qëllim të zvarritjes akoma më shumë të këtij procesi, dhe me dëshirën për të ruajtur përbërjen aktuale të KQZ-së, e cila është në favor të koalicionit aktual qeverisës, presidenti Thaçi, çështjen e ndarjes së vendeve në KQZ e ka referuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, e që, siç është parë edhe nga vendimi i Gjykatës, sipas të cilit është refuzuar kërkesa e tij, një kërkesë e tillë ka qenë fare e paarsyeshme dhe e panevojshme”, thuhet në komunikatë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, këto ditë ka pranuar një kërkesë nga Drejtori i Departamentit për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në kuadër të Zyrës së Presidentit, për nominimin e një anëtari të KQZ-së nga radhët e LDK-së.

Por kërkesën në këtë kohë, kjo parti po e konsideron si të vonshme dhe që më parë këtë e ka bërë vetë Thaçi sipas Kushtetutës dhe legjislacionit përkatës.

“Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të vitit 2017, konform dispozitave përkatëse kushtetuese e ligjore dhe në frymën e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese rreth grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës (Rasti Nr. KOU9/14), Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duhet të ndahen në mes të tri subjekteve politike të cilat si të tilla kanë dalë nga zgjedhjet: koalicioni PAN, partia Vetëvendosje dhe koalicioni të cilin e përfaqëson LDK”, thuhet në njoftim.

Partia e Isa Mustafës, kërkon që të ketë dy anëtarë në KQZ.

“Në këtë mënyrë, Lidhjes Demokratike të Kosovës i takojnë dy anëtarë të KQZ-së emrat e të cilëve shumë shpejtë do t’i dërgohen presidentit për emërimin përfundimtar të tyre. Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës është tejet e vendosur që të mos lejojë cenimin e përfaqësimit të saj në një institucion me rëndësi siç është KQZ dhe do të mbrojë të drejtën e saj të përfaqësimit në këtë institucion përmes të gjitha rrugëve ligjore dhe demokratike”, përfundon komunikata. /FaktePlus