Gjatë ditës së sotme do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, ku pritet të konfirmohet Vjosa Osmani si kandidate e kësaj partie për postin e kryeministres.
Në këtë mbledhje pritet të diskutohet edhe për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me Vetëvendosjen.
LDK dhe VV janë duke bërë përpjekje për te arritur koalicion parazgjedhor, por problem po u bën se cila parti do të kishte kandidatin për kryeministër.
Në VV pretendojnë se kandidat për kryeministër i koalicionit LDK-VV duhet te jetë Albin Kurti, ndërsa LDK tashmë për këtë post e ka nominuar Vjosa Osmanin.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme pak minuta pasi LDK-ja e zyrtarizoi Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre, zyrtarët e lartë të kësaj partie u takuan me përfaqësuesit e Vetëvendosjes.
Kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani, ndërsa ka folur për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë se beson që do të ndodh një gjë e tillë, por ia ka bërë të qartë Albin Kurtit se në sondazhet e katër viteve të fundit ka dalë para të gjithë liderëve të partive.
“Besoj që LDK do të dale fituese, për këtë jam e bindur sepse s’do t’i hyja kësaj pune. Unë shpresoj që VV do të bëhet bashkë me ne për ta mundësuar ndryshimin historik. Ata edhe pse kanë shprehur deklarativisht për të bashkëpunuar, tani duhet të shkojmë me veprime konkrete. Ka vullnet të mirë për bashkëpunim dhe ky është hap tejet pozitiv. Tre ditët e ardhshme do të kemi takime intensive. Qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga LDK në bashkëpunim me VV-në do të bëjë një luftë të pakompromis që kanë abuzuar me shtetin”, ka deklaruar Osmani në T7.





















