Aktuale

LDK: Shpend, fol diçka për deklaratën e babait të fëmijëve të mbytur në Kolovicë

Dega e LDK-së në Dardani të Prishtinës, përmes një reagimi ka shkruar se kryetari i Prishtinës as pas 48 orë nuk ka marrë guximin të prononcohet rreth deklaratave të prindit që i humbi dy fëmijë në Kolovicë, Muhamet Mramori. Ndërsa, kanë thënë se krejt këtë skandal po mundohen të mbulojnë me Xhelal Sveçlën, për të cilën kanë thënë se është një hajn.

“Pas deklarimeve të prindit të dy fëmijëve të mbytur, kryetari i komunës edhe pas 48 orë prononcimi nuk merr guximin që të jap një deklaratë të vetme. VV me Shpendin mendojnë se me dorëheqjen e një “hiqi” si Xhelal Sveçla (një i dëbuar nga puna për hajni nga SOS Fshatrat e Kosovës) e kanë arsyetuar vdekjen dy fëmijëve”, thuhet në reagim.LDK e ka quajtur lojë të ndyrë atë që po e bën VV-ja.

“Nuk e dimë se çka krejt kish ndodh me qenë dikush tjetër në krye të Komunës e jo VV. Kjo është loja e ndyrë e dyfishtë e VV. Edhe krejt drejtorët politik të Komunës dhe Kryetari I Komunës të jep dorëheqja është e paktë me jetën e dy fëmijëve. Së paku ndihmoni familjes të tejkaloi dhimbjen nëse jo asgjë tjetër!”, thuhet në reagim.

Muhamet Mramori para disa dite akuzoi Komunën e Prishtinës se nuk është interesuar për fëmijët e tij që kanë humbur jetën në një gropë që ishte hapur në Kolovicë.

Ai kishte thënë se fëmijët e tij janë harruar nga autoritetet komunale dhe shtetërore.

“Qysh lejohet: ‘Hajde ti kryeje punën në lagje, shko merr zhavorr, leje gropën e hapur midis lagjes edhe shko’”.

“Çfarë shteti mundet me qenë ky? Plus, ka ba kërkesë përpara me e mbyllë, hala pa ndodhë ky rast”.

Ai ka thënë se dorëheqja e Xhelal Sveqlës, drejtorit të Inspektoratit të Prishtinës, ishte e pamjaftueshme pas tragjedisë që i ndodhi familjes së tij.

“Nuk mjafton dorëheqja. Ne kërkojmë përgjegjësi penale, drejtësi. Unë askënd në prokurori nuk e kam”.

“Disa raste po zgjidhen brenda ditës që po kanë intervenime politike. Unë gjashtë muaj prita. Në polici kam kanë, që gjashtë muaj kurrfarë dokumenti nuk kam që fëmijët e mi janë mbytur”.

“Më thanë: ‘Po na pengon në hetime’”.

“Unë sot nuk kam kurrfarë dokumenti që ka ndodhë ngjarja. Të gjithë e kemi parë çfarë ka ndodhur, por po lypi dokumente që ka ndodhë. Nuk po mundesh pa pasë dokument, por këta s’po mi japin”, është shprehur ai.