Aktuale

LDK me mocion kërkon dënimin e gjuhës së përdorur nga Nasim Haradinaj

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka filluar me ngritjen e mocionit përmbajtjesor me të cilin dënohet gjuha e përdorur nga nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj, rreth vrasjeve të aktivistëve të LDK-së.

Mocionin e ka paraqitur shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, të cilin e kanë mbështetur të gjitha grupet parlamentare.

“Kuvendi i Kosovës dënon gjuhën fyese dhe urrejtëse të përdorur nga përfaqësuesi i OVL-UÇK për gjuhen e përdorur ndaj njerëzve të vrarë të LDK-së”, tha Hoti.

Glauk Konjufca nga vetëvendosja tha se gjuha e përdorur nga Haradinaj lidhur me vrasjen e shumë personaliteteve të pas lutës, është një gjuhë e papranueshme dhe e dënueshme dhe që nuk duhet të nxëjë vend në institucionet e Kosovës. Ai tha se Haraduinaj duhet të dal në publik dhe të kërkoj falje.

Ndërsa, Memli Krasniqi nga PDK-ja tha se gjuha e tillë është e papranueshme dhe e dënueshme. Ai shtoi se mbështesin mocionin e LDK-së.

Ahmet Isufi nga AAK-ja, theksoi se ata kërkojnë nga organet e drejtësisë të hetojnë dhe zbardhin të gjitha vrasjet e pasluftës.

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, tha se duhet të kihet kujdes, sidomos kur përfaqësojnë organe, forume, sepse fjalët që dalin nuk mund të tërhiqen edhe nëse nuk është menduar ashtu.

Kjo është deklarata e plotë:

Legjislatura VI

Sesioni vjeshtor

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 6.1 të Rregullores së Kuvendit në Seancën Plenare, të mbajtur me 22.12.2017 me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së nxjerr këtë:

D E K L A R A T Ë

Kuvendi i Republikës së Kosovës dënon gjuhën fyese dhe të urrejtjes të përdorur nga përfaqësuesi i OVL të UÇK-së për vrasjet politike të veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga institucionet e drejtësisë që urgjentisht të ndërmerren të gjitha masat adekuate që rastet e vrasjeve politike të veprimtarëve të LDK-së, të trajtohen me seriozitet, profesionalizëm dhe paanshmëri, dhe të marrin dënimin e merituar.

Vetëm zbulimi i vrasjeve politike dhe i të gjitha krimeve të tjera të pandriçuara garanton zhvillimin e Kosovës si shtet ku sundon ligji dhe e drejta dhe ku të gjithë qytetarët, pa dallim, ndjehen të sigurte.

Grupi Parlamentar i LDK-së