Aktuale

LDK me rezolutë kërkon dorëheqjen e Qeverisë

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani, në seancën e jashtëzakonshme për politikën e jashtme të Kosovës, pas dështimit të anëtarësimit në INTERPOL ka kërkuar që qeveria e Ramush Haradinaj të dorëhiqet, e t’i hap rrugën krijimit të një qeverie të re.

“Dështimi i eklatantë sa i përket anëtarësimit në INTERPOL. Kosova e çorenituar në politikën e jashtme, politizimi i skajshëm i shërbimit politik të jashtëm, janë argumente që dëshmojnë për dështimin e kësaj qeverie”, ka thënë Osmani-Sadriu para deputetëve.

Ajo pasi ka listuar dështimet e Kosovës në politikën e jashtme ka kërkuar që pas debatit parlamentar lidhur me këtë seancë të nxirret një rezolutë e cila si pikë të vetme të saj ka dorëheqjen e qeverisë.

“Pas debatit parlamentar të mbajtur në seancën e jashtëzakonshme ne propozojmë të miratohet një rezolutë e cila ka një pikë të vetme. Me qëllim të ndaljes së çdo përpjekje që cenon integritetin territorit të Kosovës, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe t’i hap rrugë krijimit të institucioneve të reja”, ka thënë tutje Osmani-Sadriu./FaktePlus/