Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të LDK-së, kryetari kësaj partie, Isa Mustafa tha sonte se LDK vazhdon të ketë vija të kuqe për PDK-në, por është e gatshme të bisedojë me Vetëvendosjen dhe me AAK-në jashtë PAN-it.
Ai tha se deputetët e LDK-së nuk do ta votojnë në asnjë mënyrë për kryetar të Kuvendit Kadri Veselin, pasi vlerësohet se ai është iniciator i prishjes së marrëveshjes qeverisëse.“Në asnjë rast nuk do të bëjmë koalicionin me koalicionin PAN ku është Partia Demokratike e Kosovës dhe po ashtu LDK-ja nuk do ta votojnë kryetarin e mëparshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotëri Veselin për kryetar të Kuvendit, për arsye se konsiderojmë se është një prej iniciatorëve të prishjes së marrëveshjes dhe se ai ka vënë interesat e tij personale dhe partisë së tij, para interesave të shtetit, dhe me njerëz të tillë ne nuk dëshirojmë që të drejtohet Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Por jemi të interesuar që sa më shpejtë të bëhen institucionet e Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar Mustafa për media, pas debatit disa orësh. Ndërkaq, Mustafa shprehi bindjen e tij se deputetët e LDK-së dhe Koalicionit LAA, nuk do të votojnë ndryshe nga vendimi i Këshillit. “Ne e kemi lënë mundësinë e hapur edhe sot këtu, që ne të vazhdojmë të bisedojmë për çështjet programore, të afrojmë programin i cili do të kishte shprehë synimet programore të LDK-së, sidomos në fushën e ekonomisë.
Nëse arrihet kjo, ne prapë do të kthehemi në Këshillin e Përgjithshëm dhe ne këtë mundësi e lamë të hapur në Këshill, edhe për Vetëvendosjen edhe për Aleancën jashtë PDK-së dhe Nismën jashtë PDK-së”, u shpreh ai. I pari i LDK-së, njëherit edhe kryeministër në detyrë, ka lavdëruar punën e Qeverisë së udhëhequr nga ai, duke pohuar se edhe përkundër kundërshtimit të disa deputetëve të LDK-së për koalicionin qeverisës me PDK-në, sipas tij nuk ka pasur asnjë vlerësim negativ për punët në qeverisje. Po ashtu Mustafa ka theksuar parësore ka qenë puna që kanë bërë për Kosovën dhe premtoi që humbjet pësuara, LDK do t’i rikuperojë, raporton KosovaPress.