Kryeparlamentari Kadri Veseli po provon të bëhet nikoqir i një takimi gjithëpërfshirës të partive parlamentare për harmonizimin e rezolutës për dialogun me Serbinë. Ai i ka dërguar ftesë edhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa, duke i kërkuar që ta dërgojë edhe përfaqësuesin e LDK-së në takimin e planifikuar për nesër.
Por, LDK-ja në një njoftim për media nuk e ka sqaruar nëse do të marrë pjesë. “Lidhja Demokratike e Kosovës disa herë i ka bërë të qarta para opinionit dhe anëtarësisë së saj qëndrimet për dialogun me Serbinë. Këto qëndrime duhet të jenë të qarta edhe për Kryetarin e Kuvendit“, thuhet në një komunikatë të lëshuar një ditë para takimit.
„Si parti politike, më e madhe në Kosovë, qëndrimet tona i shpalosim para anëtarësisë dhe qytetarëve tanë, kurse në Kuvend përmes grupit tonë parlamentar. LDK-ja është e gatshme të takohet me të gjitha partitë parlamentare për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe orientimet për dialogun pas këtyre zgjedhjeve”, thuhet më tej në përgjigje.