Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka bërë sot homazhe në Prekaz tek Kompleksi Memorial i Jasharjve, ku kanë takuar edhe përfaqësuesin e familjes, Rifat Jasharin.
Në emër të kryesisë ka folur deputeti i kësaj partie Ismet Beqiri, i cili ka vlerësuar lartë veprën dhe sakrificën e familjes së Adem Jasharit.
Ndërsa Rifat Jashari në fjalën e tij ka kërkuar unitet të të gjitha partive politike dhe gjithashtu është interesuar për shëndetin e kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës.
“Rifat Jashari, falënderoi anëtarët e kryesisë dhe kërkoi unitet nga e gjithë skena politike për të ndërtuar dhe zhvilluar shtetin tonë.Jashari gjithashtu ka shprehur interesim për shëndetin e Kryetarit Mustafa dhe i uroi shërim të shpejtë”, thuhet në komunikatë.
“Familja Jashari dha gjithçka për këtë vend. Lidhja Demokratike e Kosovës, shpreh mirënjohje dhe i përulet veprës sublime të Familjes Jashari. Në Prekaz kishte filluar kthesa e madhe dhe Familja Jashari kishte kthyer sytë e botës demokratike drejt Kosovës”, përfundon njoftimi./Express/