Sonte në orën 00:00 edhe zyrtarisht përfundon afati për partitë politike për të deklaruar në Komisionin Qendror Zgjedhor koalicionet parazgjedhore. Kësisoj, në bazë të planit për zgjedhjet e jashtëzakonshme që ka përpiluar KQZ-ja, afati për deklarimin e koalicioneve ka qenë nga 11 e deri më 15 maj.
Deri më tash asnjë koalicion parazgjedhor nuk është zyrtarizuar nga partitë politike, përpos AAK-Nisma. Mirëpo, një koalicion parazgjedhor është duke u përfolur edhe rreth dy subjekteve; LDK-së dhe Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Ish-deputeti i Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë për “Indeksonline” se ekziston mundësia që ky variant të finalizohet sonte.
“Mendojë se opsionet janë të hapura për gjitha partitë, përveç PDK-së, që mundet me qenë bashkë me LDK-në. Duhet të jepet maksimumi që të bashkohemi për një qëllim më të madh. Duhet të diskutohet, a përafrohen qëndrimet dhe a mund të ecim bashkërisht dhe t’i shikojmë mundësitë”, ka thënë ai.
Ndërsa, për kandidatin e mundshëm për kryeministër nga radhët e LDK-së, ai thotë se ende nuk është përcaktuar.
“Kushdo mundet me qenë kandidat për kryeministër nga LDK-ja sepse kemi njerëz që munden me marrë përsipër. Megjithatë, mendojë se do të bëhet një zgjidhje optimale dhe nuk është problematike kjo punë”, është shprehur ai. /Indeksonline/