Lidhja Demokratike e Kosovës, shpreh shqetësimin lidhur me dy ngjarje që ndodhën gjatë 24 orëve të kaluara në Prishtinë, e që siç thuhet në komunikatë të kësaj partie është “ rezultat i drejtpërdrejt i keqmenaxhimit nga Komuna e Prishtinës”.
“LDK shpreh shqetësimin lidhur me lëshimet rreth organizmit të Beer Fest-it, veçmas për papërgjegjësinë politike dhe paaftësinë menaxheriale të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili më shumë po luan rolin e zëdhënësit të organizatorit të Beer Fest, për të cilin qytetarët e Prishtinës, nuk janë të informuar se kush është dhe çfarë aranzhmanesh kanë së bashku”, thuhet në një komunikatë për media.
LDK konsideron se këtë vit ky aktivitet ka marrë lejen e Komunës edhe pse ishte organizuar nën çdo nivel, ku i shitej alkool edhe 13 vjeçarëve, nuk ishte ndërmarrë asnjë masë sigurie, e shumë lëshime të tjera, të cilat bënë që ajo të shndërrohej në kaos me 50 të lënduar.
“Prej që në krye të Prishtinës është z. Ahmeti dhe VV, në Prishtinë janë anuluar ose kanë dështuar një varg ngjarjesh shumë të rëndësishme, siç është edhe koncerti tradicional për nder të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vend të tyre, sheshet e Prishtinës, jo rrallë, janë mbushur me protestues të dhunshëm që kanë hedhur molotovë mbi policë, institucionet publik dhe shtëpitë private”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Sipas LDK-së pak orë pas kësaj ngjarje, në lagjen Dodona në Prishtinë, është shembur asfalti i ndërtuar vetëm një vit më parë nga Komuna dhe ende nuk janë marrë masat adekuate për të parandaluar ndonjë tragjedi.
LDK konsideron se “Shpend Ahmeti po e drejton Prishtinën si dikur lokalin ‘Filikaqa’, duke u kujdesur vetëm për klientët e tij, e duke mos pasur asnjë fije konsiderate për jetën e qytetarëve të Prishtinës”.
Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon nga Ahmeti dhe nënkryetari i tij që së paku në fund të mandatit të tyre të kthejnë sytë nga qytetarët, t’i trajtojnë problemet e tyre, e jo të vazhdojnë të jenë vegël e partisë së tyre me qëllim të dëmtimit të interesit të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës./KosovaPress/